Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, zhvilloi një takim me delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Senatit francez, të kryesuar nga Jean-François Rapin.

Gjatë këtij takimi, Zhupa ngriti shqetësimin për ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe prezantoi kundërshtimin e saj ndaj Ligjit 21/2024, duke i informuar senatorët francezë edhe për nismën e depozituar për shfuqizimin e tij.

Sipas saj bashkëbiseduesit ndanë eksperiencën franceze në mbrojtjen e bregdetit dhe hapësirave natyrore, ndërsa diskutimet u fokusuan edhe te mundësitë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Francës në këtë fushë.

Statusi i plotë i Ina Zhupës:

Pata kënaqësinë të zhvilloj një takim me delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Senatit francez, të kryesuar nga z.Jean-François Rapin të shoqëruar nga Ambasadorja e Francës në Shqipëri znj. Catherine Suard, ku diskutuam për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.

Senatorët e nderuar ndanë shqetësimin e tyre për ndërtimet në zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe sollën shembuj nga përvoja franceze në mbrojtjen e bregdetit dhe të hapësirave natyrore, përfshirë politikat e konsoliduara për ruajtjen e vijës bregdetare dhe institucionet e krijuara për këtë qëllim gjatë reformave të ndërmarra në Francë.

I informova në detaje mbi rrugëtimin e Ligjit 21/2024, i cili hapi rrugën për lejimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura, si dhe për qëndrimin tonë të palëkundur kundër tij. Gjithashtu, i vura në dijeni për nismën që kam depozituar për shfuqizimin e këtij ligji dhe kërkova mbështetjen e partnerëve dhe institucioneve evropiane për rikthimin e standardeve të mbrojtjes së natyrës, në përputhje me parimet dhe kërkesat e Bashkimit Evropian.

Biseda u shtri edhe mbi potencialin e jashtëzakonshëm që ka Shqipëria për të zhvilluar një turizëm cilësor dhe të qëndrueshëm, në harmoni me natyrën dhe trashëgiminë kulturore. Bashkëpunimi me Francën mund të sjellë modele të suksesshme dhe përvoja të vlefshme për të ndërtuar një zhvillim që respekton mjedisin dhe u shërben brezave të ardhshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: