Analisti Genc Burimi ka reaguar me tone të ashpra lidhur me situatën politike dhe shoqërore në vend, teksa Shqipëria përballet prej 16 ditësh me protesta masive qytetare dhe sot zhvillohet e radhës.
Përmes një analize të shkurtër, Burimi ka vënë në shënjestër udhëtimet e shumta të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të tij jashtë vendit në këtë moment krize, si dhe qëndrimin e ndërkombëtarëve, të cilin ai e cilëson si një “verbërim kancelarik”.
Burimi ka rreshtuar të gjitha lëvizjet e kabinetit qeveritar dhe krerëve të shtetit, duke ngritur pikëpyetje të mëdha se pse të gjithë po sillen sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Udhëtimet e zyrtarëve: “Peleshi në Holandë, ministri i Jashtëm Hoxha në Luksemburg, Begaj në Uzbekistan, ministri i Mbrojtjes Nufi në Uashington, Rama për qejf në Francë e Zvicër dhe tani për biznes në Gjermani! Çfarë po ndodh kështu?” shprehet analisti.
Burimi pyet me ironi nëse vendet që po presin delegacionet shqiptare nuk kanë dëgjuar për valën e protestave që ka përfshirë Tiranën.
Më tej, analisti nuk ka kursyer as përfaqësuesit diplomatikë të Perëndimit, duke parë një lloj tolerance të pakuptueshme ndaj qeverisë shqiptare në një kohë kur rrugët e kryeqytetit janë mbushur me protestues.
“Shtoji kësaj edhe delegacionin e Senatit francez në Tiranë, apo deklaratat si pambuk të së ngarkuarës me punë të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe ato të znj. Kos në Bruksel. Çfarë emri t’i vihet këtij verbërimi kancelarik ndërkombëtar? Business as usual me një autokrat?”, përfundon reagimin e tij Burimi.
