Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka folur këtë mëngjes nga Brukseli, përpara takimit të ministrave të mbrojtjes të aleancës, duke theksuar unitetin e vendeve anëtare dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.

Gjatë deklaratave për mediat, Rutte mbajti një ton optimist, duke nënvizuar se NATO mbetet e bashkuar, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa iu përgjigj pyetjeve mbi Donald Trump, mbështetjen e Kinës për Rusinë dhe zhvillimet më të fundit në luftën në Ukrainë.

Shefi i NATO-s u ndal veçanërisht te situata në front, duke vlerësuar se forcat ukrainase po i shkaktojnë humbje të konsiderueshme ushtrisë ruse.

“Po shohim që Ukraina është në gjendje të vrasë ose të plagosë rëndë mes 30 mijë dhe 35 mijë ushtarë rusë në muaj. Janë shifra të jashtëzakonshme dhe tragjike për familjet e tyre, por Ukraina nuk e zgjodhi këtë luftë. Ajo po mbron veten”, deklaroi Rutte.

Duke komentuar mundësinë e arritjes së paqes, ai tha se një marrëveshje kërkon gatishmëri nga të dyja palët.

“Ne duam t’i japim fund luftës, por për të kërcyer tangon duhen dy veta. Volodymyr Zelensky është i gatshëm ta bëjë këtë, por qartësisht Vladimir Putin nuk është”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb