Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar qëndrimin ndaj zgjedhjeve presidenciale në Brazil, duke i cilësuar ato si “një turp të madh” dhe “një situatë të turpshme për popullin brazilian”. Trump ka shmangur dhënien e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë nëse e njeh fitoren e Luiz Inácio Lula da Silva ndaj kandidatit të djathtë Flavio Bolsonaro.
“Unë mendoj se zgjedhjet në Brazil ishin një turp”, deklaroi Trump të enjten për gazetarët, duke shtuar se ajo që kishte ndodhur ishte një situatë jashtëzakonisht e turpshme për Brazilin.
“E ndoqa zgjedhjen. Nuk ndërhyra dhe nuk mbajta anë, por ajo që pashë në Brazil ishte një turp”, u shpreh presidenti amerikan.
Deklaratat e Trump shënojnë një ashpërsim të dukshëm të qëndrimit të tij, pasi vetëm një ditë më parë ai i kishte cilësuar zgjedhjet si “shumë të çuditshme”, duke thënë se nuk dëshironte të përfshihej në pretendimet e Bolsonaro-s për ‘rrëmbimin e presidencës’.
Ndërkohë, Flavio Bolsonaro është larguar drejt Shteteve të Bashkuara, ku ka nisur një periudhë vetëizolimi politik, duke këmbëngulur se është presidenti legjitim i Brazilit, pavarësisht humbjes në balotazh.
“Unë jam presidenti i zgjedhur dhe kriminelët që vodhën zgjedhjet në Brazil janë pjesë e një organizate kriminale që ka vendosur një tirani”, deklaroi Bolsonaro në një reagim të publikuar në rrjetin social X, duke ngritur akuza për manipulim të procesit zgjedhor.
Lidhjet e administratës Trump me familjen Bolsonaro kanë qenë të forta, ndërsa babai i Flavio-s, ish-presidenti Jair Bolsonaro, ndodhet nën arrest shtëpiak në Brazil, pas përpjekjeve për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2022.
Fitorja e Lula da Silva-s në balotazhin e së dielës, me 51.8 për qind të votave, u pasua nga largimi i Bolsonaro-s drejt SHBA-së. Presidenti brazilian e cilësoi këtë largim si një akt të turpshëm.
Ndërkohë, qëndrimi i Trump ndaj zgjedhjeve braziliane ka shtuar vëmendjen ndaj mënyrës sesi ai do të reagojë në rast të një humbjeje të mundshme të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, veçanërisht pas pretendimeve të tij të përsëritura për manipulime zgjedhore dhe refuzimit për të pranuar humbjen e vitit 2020.
