Në ditën e 24-të të protestës masive që po zhvillohet përpara godinës së Kryeministrisë, sheshi ka kumbuar sërish nga parullat, thirrjet dhe fjalimet e qytetarëve të thjeshtë që kanë marrë fjalën përpara turmës. Ditën e sotme, vëmendjen e ka marrë fjalimi plot ironi, batuta dhe akuza i një prej protestuesve, i cili ka vënë në shënjestër zyrtarët e lartë të korruptuar dhe vetë kryeministrin Edi Rama.
Nga foltorja e improvizuar, qytetari ka ndalur te dy prej figurave më të përfolura të administratës dhe qeverisë: ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Protestuesi ka ironizuar qëndrimet e ish-ministres Balluku dhe ka kërkuar që ajo të përballet me drejtësinë në Prokurorinë e Posaçme.
“E kërkoi SPAK këtë Belindën, Belushja. Unë dua ta përkëdhel, Linda. Sa bukur që flet, ka një zë të ëmbël sikur ha mjaltë në gojë gjithë ditën. Po turp mor, çoje atje në SPAK të ballafaqohet nëse është e zonja të përgjigjet dhe të thotë që është e ndershme dhe të shkojë atje në parlament ku ishte”, tha qytetari mes duartrokitjeve të turmës.
Më tej, ai ka ironizuar mbrojtjen që Edi Rama i bëri ish-drejtoreshës së AKSHI-t, duke kujtuar deklaratat se ajo jetonte me qira, ndërkohë që realiteti fsheh pasuri marramendëse.
“Kjo Karçanaj e AKSHI-t. Na doli Rama sa nuk qante ai dhe sa nuk qaja unë, na tha se ishte me shtëpi me qira. Mos thashë, doja numër telefoni të saj t’i dërgoja ndonjë qindarkë të shkretës, po kur na doli pas dy javësh ajo ishte me vila e kështjella.”
