Deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, ka komentuar protestat e fundit në vend, duke deklaruar se pas tyre qëndron një pakënaqësi e akumuluar e qytetarëve, por duke shprehur edhe shqetësimin për atë që e cilësoi si thirrje për zhbërjen e shtetit dhe tentativa për destabilizim.

Sipas Kukos, Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar kanë mbajtur një qëndrim të kujdesshëm ndaj zhvillimeve, ndërsa theksoi se zhvillimi i protestave dëshmon funksionimin e demokracisë dhe lirinë e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Deputetja socialiste shtoi se disa nga organizatorët e protestave, sipas saj, kanë dëmtuar kohezionin social dhe ngriti shqetësimin për përfshirjen e ish-ushtarakëve dhe ndikimeve të tjera që, sipas saj, mbështesin thirrje për shpërbërjen e shtetit.

Kuko deklaroi se institucionet përgjegjëse për sigurinë kombëtare dhe organet e drejtësisë duhet të vlerësojnë këto zhvillime, duke theksuar se thirrjet për zhbërjen e shtetit ngrejnë pikëpyetje serioze mbi stabilitetin institucional.

“Është akumuluar një pakënaqësi e qytetarëve që janë marrë peng nga thirrje për zhbërjen e shtetit. PS dhe grupi parlamentar kanë mbajtur një qëndrim të kujdesshëm. Fakti që kemi protesta të tilla tregon që demokracia është e suksesshme. Sot, edhe me retorika më të ashpra, secili është ndjerë i lirë të protestojë. Disa nga organizatorët e protestës kanë kryer dëme në kohezionin social.

Shqetësimi i madh ka të bëjë dhe me angazhimin e disa aktorëve militarë dhe me influenca të caktuara. Edhe ish-ushtarakë ndalin dhe mbështesin thirrje për shpërbërje të shtetit, që janë shkruar të zeza mbi të bardhë, dhe më bën të dyshoj për një aleancë të rrezikshme. Institucionet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, besoj, duhet të ketë dhe involvim të prokurorisë. Të dalësh të thuash që do të zhbëjmë shtetin, ndërkohë që bota demokratike ka shtyllat e shtetit dhe institucionet, por çfarë ndodh me hierarkinë e policisë, ushtrisë, janë shumë pikëpyetje që duhet të përgjigjen. Ka tentativë për destabilizimin e Shqipërisë.”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb