Zëdhënësja për Antikorrupsion në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka denoncuar projektin Smart-City me vlerë rreth 118 milionë dollarë, duke ngritur dyshime serioze për mungesë transparence dhe fryrje të kostove. Sipas saj, në mars të vitit 2025, qeveria ka dërguar në Kuvend për ratifikim një kredi nga Fondi i Abu Dhabit me afat shlyerjeje 15-vjeçar dhe interes 4% në vit. Këto fonde, sipas PD-së, do të përdoren për financimin e projektit “Smart City/Safe Nation”, i cili parashikon ndërtimin e një sistemi të avancuar monitorimi dhe inteligjence artificiale.

Vangjeli pretendon se kontrata do t’i jepet pa tender dhe pa garë kompanisë Presight AI Ltd, e lidhur me grupin G42 nga Abu Dhabi, duke ngritur shqetësime për mungesë konkurrimi dhe transparence.

Sipas të dhënave të paraqitura nga PD, projekti ndahet në disa komponentë kryesorë: rreth 31.13 milionë dollarë për licenca softueri, 62.4 milionë për harduer dhe infrastrukturë, 7.84 milionë për shërbime profesionale dhe 17.13 milionë për mirëmbajtje katërvjeçare. Në total, sipas opozitës, mbi 48 milionë dollarë shpenzohen vetëm për softuer dhe mirëmbajtje. Në deklaratë theksohet gjithashtu se projekti parashikon instalimin e mbi 8,600 pajisjeve monitoruese, përfshirë kamera ANPR, kamera PTZ dhe kamera trupi për Policinë e Shtetit. PD argumenton se kostoja për njësi rezulton dukshëm më e lartë se standardet e tregut ndërkombëtar.

Opozita ngre gjithashtu shqetësime për rrezikun e krijimit të një sistemi të gjerë survejimi, duke kërkuar sqarime mbi mënyrën e përdorimit të të dhënave, aksesin institucional, auditimin e pavarur dhe garancitë për privatësinë e qytetarëve. Në përfundim, PD kërkon publikimin e plotë të preventivit, një auditim ndërkombëtar të kostove dhe garanci ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale, duke e cilësuar projektin si të munguar në transparencë dhe llogaridhënie.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: