Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, ka deklaruar se skandali historik Watergate nuk do të kishte të njëjtin ndikim nëse do të ndodhte në ditët e sotme, duke argumentuar se klima politike dhe mediatike ka ndryshuar rrënjësisht.
Gjatë një fjalimi në Bibliotekën dhe Muzeun Presidencial Richard Nixon në Kaliforni, Vance tha se trashëgimia e ish-presidentit Richard Nixon meriton një “rehabilitim”, ndërsa e cilësoi si “çmenduri” faktin që skandali Watergate çoi në dorëheqjen e tij.
“Mendoj se trashëgimia e Richard Nixon ka nevojë për një lloj rehabilitimi dhe besoj se ia vlen. Nëse Watergate do të ndodhte sot, nuk do të ishte lajm për më shumë se 12 orë. Ideja që një skandal i tillë rrëzoi një presidencë është çmenduri”, u shpreh Vance.
Skandali Watergate shpërtheu në vitin 1972, pasi pesë persona u arrestuan duke hyrë në mënyrë të paligjshme në selinë e Partisë Demokratike në kompleksin Watergate në Uashington. Hetimet e mëvonshme zbuluan një operacion spiunazhi politik dhe përpjekje për të fshehur ngjarjen, të lidhura me administratën Nixon.
Nën presionin e procedurave për shkarkim nga Kongresi, Richard Nixon dha dorëheqjen në vitin 1974, duke mbetur presidenti i vetëm në historinë e SHBA-së që është larguar nga detyra në këtë mënyrë.
