Që nga muaji korrik qytetarët që udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut dhe anasjelltas do të kenë vetëm një ndalesë në pikat doganore. Kjo u bë e mundur falë një marrëveshje të nënshkruar sot mes dy ministrave të brendshëm të Shqipërisë, Besfort Lamallari dhe atij maqedonas Pançe Toshkovski.
Marrëveshja e nënshkruar nga dy ministrat në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër synon që të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve të të dyja vendeve.
Ndërkohë, Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski tha se me këtë sistem i cili përdoret edhe me Kosovën e Serbinë, qytetarët shqiptar e ato të Maqedonisë së Veriut do të lehtësojnë lëvizjen dhe bizneset do ta kenë më të lehtë.
“Është fakt që kur keni marrë detyrën si ministër i brendshëm kemi qenë në kontakt. Personalisht keni kërkuar vetë për të ardhur tek kjo marrëveshje që po nënshkruajmë sot dhe ka shumë krenari ndoshta që jemi në vendlindjen tuaj. Në drejtorinë e Policisë Dibër. Kemi nderim të nënshkruajmë një marrëveshje të rëndësishme. Me qëllim që të lehtësojmë jetën e shtetasve tanë. Kalimi me një ndalesë të cilin po e firmosim sot, Maqedonia e implementon me Kosovën dhe Serbinë dhe ka dhënë rezultate të mëdha në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.
Duke patur parasysh numrin e lartë të qytetarëve që lëviznin nga vendi ynë në tuajin dhe anasjelltas, do të jetë shumë e rëndësishme për përmirësimin e lëvizjes së shtetasve të të dyja vendeve. Gjithashtu do t’i shërbejë edhe shoqërive të biznesit. Dhe mendoj që në të ardhmen me këtë liri lëvizje do të ketë përfitim të lartë si për shtetasit tuaj ashtu edhe për shtetasit tanë.
Principi “one stop” me një kontroll ndihmon edhe në shkëmbimin e lehtë të informacionit në pikat kufitare. Në fillim implementimi i marrëveshjes do të nisë me “Qafë Thanën” dhe më pas në doganën e Bllatës.
Dhe kjo marrëveshje shpresoj që muajin e ardhshëm të nisë zbatimin, që të dyja vendet tona të arrijnë qëllimet e mira. Falenderim të madh të gjithë punonjësve të policisë të cilët përditë punojnë për qytetarët tanë në të të dyja shteteve.
Falënderoj të gjithë grupin e ekspertëve që u angazhuan për hartimin e kësaj marrëveshje. Dhe një falenderim i madh personal për ju ministër që ishit vetë që u interesuat dhe angazhuat për të arritur këtë marrëveshje që po e nënshkruajmë sot”, deklaroi Toshkovski.
Marrëveshja do të nisë fillimisht të implementohet me doganën e Qafë Thanës e më pas me atë të Bllatës në Dibër.
