Më shumë se 1,300 persona kanë humbur jetën si pasojë e valës së të nxehtit që ka përfshirë Evropën që prej 21 qershorit, njoftoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri të ditur se temperaturat ekstreme kanë shkaktuar pasoja të rënda në disa vende evropiane.

“Më shumë se 1,300 vdekje të tjera janë regjistruar që nga 21 qershori në lidhje me temperaturat e larta në Evropë”, shkroi ai në rrjetin social X.

Sipas tij, rreth 150 milionë njerëz po jetojnë aktualisht nën kushte të vapës ekstreme, ndërsa qindra persona kanë humbur jetën, shkollat janë mbyllur në disa zona dhe rrjetet energjetike po përballen me presion të madh.

Sipas një përllogaritjeje të AFP-së, të paktën 191 milionë banorë pritet të përjetojnë temperatura mbi 35 gradë Celsius gjatë ditës së sotme. Në disa rajone të kontinentit, temperaturat mund të arrijnë ose të kalojnë 40 gradë Celsius, ndërsa në zona të tjera parashikohen stuhi.

Franca ka raportuar rreth 1,000 vdekje shtesë gjatë kësaj vale të të nxehtit, ndërsa në Republikën Çeke është regjistruar një rekord i ri kombëtar prej 41.1 gradë Celsius në qytetin Doksany, në veri të Pragës.

Temperatura shumë të larta po regjistrohen gjithashtu në Gjermani, Poloni dhe Itali, ndërsa pjesë të Francës po përballen me mot të paqëndrueshëm dhe stuhi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb