Janë liruar disa nga protestuesit e arrestuar mesditën e sotme gjatë tubimit të zhvilluar para Kuvendit. Ata u mbajtën për më shumë se tre orë në ambientet e Komisariatit nr. 1, ndërsa jashtë godinës dhjetëra qytetarë qëndruan në pritje, duke kërkuar lirimin e tyre.
Në momentin e daljes nga komisariati, protestuesit u pritën me duartrokitje dhe brohorima nga mbështetësit e mbledhur jashtë ambienteve të Policisë.
Njëri prej të shoqëruarve, Dritan Gonxhaj, deklaroi se policia i ka komunikuar se është arrestuar me akuzën për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të policisë. Ai bëri me dije se edhe protestuesit e tjerë pritet të lirohen sapo të përfundojnë procedurat.
“Arsyeja e shoqërimit ishte pretendimi për kundërshtim të punonjësve të policisë, edhe pse ne nuk i kemi kundërshtuar. Ne kemi qenë gardh dhe u kemi bërë thirrje protestuesve të mos prekin punonjësit e policisë.
Trajtimi ndaj nesh ka qenë normal dhe nuk ka pasur asnjë problem. Kanë ardhur disa deputetë dhe na kanë pyetur për situatën.
Ne nuk pranuam të takonim Avokatin e Popullit, pasi për ne ai nuk përfaqëson popullin, sepse është votuar nga një Parlament që ne e konsiderojmë Parlament krimi. Për këtë arsye, ne kërkuam largimin e tij”, u shpreh Gonxhaj.
Ne nuk pranuam të takonim Avokatin e Popullit, pasi për ne ai nuk përfaqëson popullin, sepse është votuar nga një Parlament që ne e konsiderojmë Parlament krimi. Për këtë arsye, ne kërkuam largimin e tij.
