Protestat e fundit të zhvilluara në Tiranë, të kombinuara me reagimin në rritje të diasporës, po dëshmojnë një rënie morale të qeverisë dhe një humbje të kontrollit nga ana e kryeministrit Edi Rama. Ky është vlerësimi i analistit Edvin Kulluri, i cili ka analizuar me detaje situatën politike, reagimin e dhunshëm të strukturave të policisë dhe mesazhin e qartë ndërkombëtar që po i jepet mazhorancës në shesh.
Sipas Kullurit, numri i jashtëzakonshëm i forcave të policisë në terren tregon vetëm një gjë: frikën e kryeministrit përballë një revolte qytetare që po rritet çdo ditë e më shumë.
Kulluri ka vënë në dukje disproporcionin e madh mes numrit të forcave të rendit dhe pjesëmarrësve në tubimin e djeshëm, duke theksuar se angazhimi FNSH përballë vezëve të protestuesve tregon panikun në radhët e qeverisë.
“Pashë 500-600 policë përballë 300-400 protestuesve. Erdhi FNSH përballë vezëve. Rama është i trembur dhe i pasigurt. Është i paqartë, konfuz. Rama po përpiqet pa sukses të dekurajojë protestën. Ai e di që nuk ka të drejtë, është i vendosur në anën e gabuar të historisë në këtë marrëdhënie,” shprehet Kulluri.
Analisti nënvizoi se pavarësisht dhunës së policisë, ku përmendi rastin e Gent Prognit që u qëllua me grusht, protestuesit treguan një qytetari të lartë, duke u dhënë edhe ujë efektivëve në shesh.
Një pikë kyçe e analizës së Kullurit është ndërkombëtarizimi i kauzës dhe prania e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian në sheshin e protestës, çka sipas tij hedh poshtë çdo tentativë të qeverisë për të etiketuar lëvizjen si të nxitur nga faktorë dashakeqës.
“Prezenca e eurodeputetëve, ku ka mbajtur fjalim në shesh një zëvendëspresident i Parlamentit Europian, tregon se këtu ka segmente të forta dhe të qarta të vendeve mike që kanë mbështetur protestën. Në shesh nuk ka iranianë, grekë apo kinezë. Nuk janë parimet e autokracisë që përfaqëson Rama dhe qeveria e tij,” deklaroi ai.
Sipas Kullurit, ashtu si çdo autokrat, Rama po tenton të gjejë një armik për të justifikuar dështimin, por kjo strategji nuk po i funksionon pasi pjesëmarrja vetëm po rritet, ndërsa “të korruptuarit nuk kanë motiv për të luftuar.”
Duke bërë një paralelizëm historik me rënien e regjimeve diktatoriale, Kulluri theksoi se përpjekjet për të kontrolluar demokracinë përmes metodave të tilla janë të dështuara.
“Në demokraci nuk sillesh dot si diktaturë, e kanë provuar Çaushesku, Ramiz Alia, nuk funksionon. Rama bën një lojë nervash me veten e tij. Kjo protestë e ka arritur 80% të fitores, pasi e ka rrënuar moralisht këtë qeveri. Nuk kuptoj pse Rama rri kryeministër kur nuk ka çfarë t’i japë më këtij vendi!” tha analisti.
