Protestuesi dhe aktivisti Shkëlzen Bushi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar situatën politike në vend, protestat masive kundër kryeministrit Edi Rama dhe reagimet e klasës politike përgjatë ditëve të fundit.

Bushi nuk i ka kursyer kritikat as ndaj kreut të qeverisë, por as ndaj liderit të PD, Sali Berisha, duke vënë në pikëpyetje qëndrimet e tyre ndaj zërit qytetar.

Gjatë bisedës në studio, aktivisti u shpreh se reagimet e kryeministrit Rama tregojnë dobësi, ndërsa vuri në dukje edhe paqartësitë e opozitës.

“Një kryeministër të merret me individë, një nga një, për mua nuk është kryeministër. Plus pala tjetër, Sali Berisha që thotë nuk mbështet protestën, por pas disa ditësh thotë që e mbështet protestën. Çfarë është kjo? Unë jam vetëm një zë protestues,” tha Bushi.

I pyetur nëse do të ketë një skenar për rrethimin e Parlamentit ditën e nesërme, ai u shpreh i rezervuar: “Protestë sërish në Parlament nesër? Nuk kemi plane. Gjithçka mësohet kur ndodh.”

Aktivisti ka vlerësuar maksimalisht punën dhe profesionalizmin e televizionit News24, duke theksuar se ishte media e vetme që pasqyroi që në zanafillë revoltën qytetare.

“Jeni një nga ato media që keni qenë gjithnjë live dhe ju falënderojmë për këtë. Të tjerët nuk flasin për këtë. News24 ka qenë nga dita e parë dhe më pas erdhën të tjerët kur avancoi si gjë protesta. Populli kërkon pak mbështetje në këtë pikë”, tha ai.

Më tej, Bushi hodhi akuza të forta drejt heshtjes së Kreut të Shtetit, duke thënë se institucioni i Presidentit ka mbetur “fantazmë” përballë revoltës popullore.

“Presidenti i Shqipërisë ku është? Nuk e marrim vesh kemi president apo jo. Nuk ka thënë asgjë për protestën asnjë ditë. Në protestë, ka fëmijë, nëna, njerëz të moshuar, ka nga të gjitha moshat dhe protesta është paqësore. Temperaturat e larta ndikojnë shumë,” u shpreh ai, duke shtuar se pavarësisht motit të nxehtë, fryma e qytetarëve mbetet e ndezur.

Sipas aktivistit, pushteti i kryeministrit tashmë ka përfunduar:

“Rama ka rënë, por nuk e kupton. Nuk di nga të shkojë dhe njerëzit duhet ta shohin se ka rënë si shtet. Në protestë ka një frymë përbashkuese.”

Në mbyllje të fjalës së tij, Bushi dha një lajm të rëndësishëm lidhur me hapat e mëtejshëm të lëvizjes qytetare, duke ftuar të gjithë shqiptarët pa dallim në shesh.

“Në 4 korrik do shohim një protestë madhështore kombëtare. Protesta është e lirë dhe nuk përfaqësohet nga askush dhe ndaj të gjithë shqiptarët janë të ftuar të vijnë në protestë,” përfundoi Bushi në studion e News24.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb