Nga protesta e zhvilluar para Kryeministrisë, aktivistët Edison Likaj dhe Luçjana Koka kanë lexuar një seri pyetjesh publike drejtuar ish-ministrit të Drejtësisë dhe deputetit Ulsi Manja, i cili sipas tyre është përfshirë në një përplasje me protestuesit gjatë protestës së sotme para Kuvendit.
Aktivisti Edison Likaj tha se pyetjet vijnë nga protestues të arrestuar dhe të shoqëruar, duke i cilësuar ato si pyetje publike dhe retorike drejtuar Manjës.
“A është e vërtetë, zoti Manja, që familjarët tuaj janë paguar nga inceneratorët? A është e vërtetë që në Palasë ju është dhuruar një vilë nga persona të lidhur me trafikun e drogës? A është e vërtetë që po ndërtoni në Paskuqan dhe në Farkë?”, u shpreh Likaj, duke përcjellë pyetjet e protestuesve.
Ai shtoi se, sipas tij, këto pyetje vijnë nga qytetarët e ndaluar në Komisariatin nr. 3.
“Ky njeri nuk ka qenë thjesht një ish-zyrtar i korruptuar, por një kriminel që meriton të shkojë në burg”, deklaroi ai.
Ndërkohë, aktivistja Luçjana Koka ngriti gjithashtu një pyetje publike, duke iu referuar një çështjeje pronash në Rrjoll gjatë kohës kur Manja ka shërbyer si prokuror.
“Çfarë lidhje ke, Ulsi, me tokat e Rrjollit kur ishe prokuror në Shkodër?”, u shpreh ajo.
