Kryeministri Edi Rama vijon sulmet ndaj protestuesve duke i quajtur “dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë”, qytetarët që i kërkojnë dorëheqjen për 34 ditë me radhë para zyrës.

I pranishëm këtë të premte në eventin e Edicionit të Tretë të Javës së Administratës Publike, Rama theksoi se protesta është një e drejtë e ligjshme, por shtoi se, sipas tij, nuk mund të justifikohen aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë apo përfaqësuesve të medias.

Rama thotë se një pjesë e personave të përfshirë në incidentet e dhunshme nuk mund të konsiderohen protestues.

Më tej, Rama u ndal edhe te protesta në tërësi, duke deklaruar se ajo duhet analizuar duke dalluar, sipas tij, zërin e qytetarëve nga grupet që ai i cilësoi si përgjegjëse për tensionet.

Ka dy momente që dua t’i veçoj, bazuar në fakte. Dhuna në Bulevard nisi me sulme ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Protesta është e ligjshme, por nuk mund të goditen punonjësit e policisë, as gazetarët. Kemi një kërkesë nga Unioni i Gazetarëve për të mbrojtur gazetarët gjatë ushtrimit të detyrës.

Një grusht personash që dëmtojnë pronën publike dhe ushtrojnë dhunë nuk janë protestues, por vandalë.

Jemi në një moment intensiv dhe specifik në rrugëtimin tonë si shoqëri. Më lejoni të sjell një episod, nga shumë episode që po mbledhim, për ta lexuar si duhet protestën e Bulevardit, në atë pjesë të saj që ka rëndësinë e vet themelore për ne, që është zëri dhe shqetësimet reale të qytetarëve. Ajo që unë e quaj uji i pastër dhe i rrjedhshëm i protestës, nën atë koren e zezë të asaj që, për fat të keq, është pjesa e zhurmshme dhe e dukshme, ku janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë”, u shpreh Rama.

Gjithashtu, kryeministri tregoi edhe një histori personale, ku nëna e një mikut të tij, kishte dalë në protestë pasi ndihej e fyer dhe e poshtëruar nga sjellja e administratës shtetërore. Sipas kryeministrit, ky episod tregon thelbin e zemërimit të shumë qytetarëve, të cilët shpesh përballen me mungesë njerëzillëku nga punonjësit publikë.

“Nëna e një shokut tim kishte dalë në protestë dhe i biri ishte alarmuar kur i thanë, sepse ajo është në një moshë të caktuar. Ishte kthyer në shtëpi dhe e kishte pyetur të ëmën në protestë dhe ajo i tregon thelbin e zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Kjo grua në moshë del në protestë sepse është e fyer. Ky është një poshtërim dhe ndjenja e poshtërimit nga shteti yt dhe nga njerëzit që paguhen për të të shërbyer ty, është një ndjenjë që të bën të kuptosh që është kulmi.

Njerëzit nuk ndjehen të fyer e të poshtëruar jo vetëm sepse nuk zgjidhin dot një hall. Por përtej faktit që e zgjidh apo nuk e zgjidh, ai mjeku është i detyruar që atij njeriu të sëmurë t’i ofrojë gjithë komoditetin që vjen nga njerëzillëku”, tha Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb