Vala e fundit e të nxehtit ekstrem në Gjermani, me temperatura që iu afruan 40 gradë Celsius, ka shkaktuar probleme të ndjeshme në infrastrukturë, transport dhe ekonomi.
Sipas analistit të DW Auron Dodi, ndikimi i temperaturave të larta ka qenë më i thellë sesa disa ditë të nxehta mund të shpjegojnë.
Në disa qytete si Lajpcig, Esen, Nyrnberg, Würzburg dhe Bremen, transporti publik është ndërprerë pasi nxehtësia ka dëmtuar materialin mes shinave të tramvajit. Probleme janë shfaqur edhe në rrjetin rrugor. Në disa autostrada gjermane të ndërtuara me pllaka betoni, temperaturat e larta kanë shkaktuar çarje dhe zhvendosje të sipërfaqes.
Edhe sektori i bujqësisë është goditur, ku fermerët janë detyruar të marrin masa shtesë për mbrojtjen e prodhimeve, përfshirë ujitje intensive dhe teknika mbrojtëse për pemët.
Autoritetet gjermane, sipas Auron Dodit, paralajmërojnë se vendi ende nuk është plotësisht i përshtatur për valë të tilla ekstreme të nxehtësisë. Ministri federal i Mjedisit, Carsten Schneider, ka theksuar nevojën për më shumë gjelbërim në qytete dhe ulje të sipërfaqeve të betonizuara.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se përshtatja kërkon kohë të gjatë, madje dekada, veçanërisht në sektorë si bujqësia dhe infrastruktura. Një shqetësim i madh mbetet edhe furnizimi me ujë, pasi rënia e niveleve të ujërave nëntokësore mund të ndikojë si industrinë ashtu edhe jetën e përditshme.
Intervista e plotë:
News 24: Gjermania përjetoi deri javën e kaluar një valë historike të nxehti , mbi 41 gradë Celsius, për ditë të tëra – me pasoja në rrugë, në transportin publik dhe te personat më të prekshëm.
Auron, përshëndetje. Le të nisim nga ajo që duket. I nxehti nuk preku vetëm njerëzit, por cënoi edhe infrastrukturën e Gjermanisë. Sa thellë shkon dëmi?
Auron Dodi: Cenimi i infrastrukturës ishte ndoshta më i ndjeshëm, sesa mund ta shpjegojnë disa ditë radhazi të nxehta, me temperatura rreth 40 gradë Celsius.
Për të marrë disa shembuj: Në Lajpcig, në lindje të Gjermanisë, u ndëpre transporti publik, pasi temperaturat shkrinë materialin mes shinave të tramvajit. Gjëra të ngjashme ndodhën në Esen në perëndim, në Nyrnberg dhe në Würzburg në jug, në Bremen në veriperëndim të Gjermanisë.
Në autostrada: një pjesë e vogël e autostradave të Gjermanisë janë të shtruara me pllaka betoni, jo me asfalt. Në to, vende-vende pllakat hapën tokën nga nxehtësia.
Edhe në fusha u desh të luftohej: fermerët p.sh. i freskuan mollët me ujitje shtesë ose i lyen me argjilë të bardhë, që të mos u digjej lëkura.
Gjermania thjesht nuk është ndërtuar për temperatura të tilla.
Dhe ky është thelbi: s’është puna te një ditë, por te i nxehti pa ndërprerje për ditë të tëra, që theu rekorde në Gjermani.
Vapa e madhe i solli pranë kufijve mjekësorë të përballimit edhe të moshuarit, të sëmurët dhe gratë shtatzëna.
News 24: Ju thoni se Gjermania nuk ishte e ndërtuar për valën e fundit të vapës. Po a është Gjermania si parim e përgatitur për një klimë më të nxehtë?
Auron Dodi: Ende jo mjaftueshëm këtë e tha vetë ministri federal i Mjedisit. Carsten Schneider e quajti të madh dëmin ndaj ekonomisë kombëtare, për shkak të temperaturave të larta.
Prandaj ministri bëri thirrje, ndër të tjera, për përshtatjen e qendrave të qyteteve: duke mbjellë edhe më shumë pemë, për të pasur më shumë hije dhe më pak sipërfaqe të betonuar.
Sepse Gjermania, në tërësi, është e gjelbëruar, por pikërisht atje ku i nxehti bëhet më i rrezikshëm, në qendrat e betonuara, nevojitet më shumë gjelbërim.
Megjithatë. nganjëherë përshtatja e thellë, mund të dojë edhe dekada.
Sa e ngadaltë diktohet përshtatja, këtë e tregon p.sh. pemëtaria: një plantacion mollësh mbillet për njëzet vjet; asnjë fermer nuk mund t’i përgjigjet shpejt, një klime më të nxehtë, duke mbjellë lloje më rezistente frutash.
Edhe më rëndë temperaturat e larta ndikojnë rezervat e ujit: kur bie niveli i ujërave nëntokësore, kjo ndikon fabrikat. Ato mund të mos nisin fare prodhimin në një zonë të tillë.
Kjo sepse, kur pakësohen rezervat e ujit, rritet edhe rezistenca e popullsisë.
Në fund, tha ministri gjerman i Ambjentit, shtrohet çështja se kush do ta marrë ujin e paktë.
News 24: Dhe këtu nis ndoshta dilema: mbrojtja e klimës përballë ekonomisë së një vendi industrial si Gjermania, ku industria kimike, prodhimi i automobilëve kanë rëndësi. Sa i madh është tensioni mes mbrojtjes së klimës dhe industrisë?
Auron Dodi: E kuptoj pyetjen. Gjermania është vërtet një vend shumë i industrializuar, në të cilin prodhimi industrial përbën rreth 20% të Produktit të Brendshëm Bruto. Por Gjermania ka edhe një bilanc të mirë ekologjik krahasuar me shtete si SHBA, Kina, India etj, veçanërisht në reduktimin e emisioneve, në standardet ekologjike dhe në kthesën energjetike. Mbrojtja e klimës dhe zhvillimi i industrisë janë shpesh në tension, por jo kudo.
Për prodhimin e çelikut, të çimentos, për rafineritë po: rregullat e rrepta të klimës kushtojnë vërtet. Por në aspekte të tjera vlen e kundërta. Prodhuesit gjermanë të automobilëve kanë pjesërisht vështirësi, sepse e vonuan ndërtimin e automjeteve elektrike. Te bateritë sot udhëheq Kina, dikur ishin vetë gjermanët. Përkundrazi, te hidrogjeni dhe te teknologjia e ujit, Evropa është e fortë.
Ministri gjerman i Ambjentit Schneider tha se duhet vepruar në mënyrë praktike: duke mos bllokuar, për shkak të klimës, por duke kompensuar.
Për industrinë kimike, p.sh., ai tha se Brukseli duhet t’i zbusë rregullat për nxehtësinë industriale, me efekt prapaveprues, që nga viti 2026.
Për mbështetjen e automobilit elektrik, qeveria në Berlin ka vënë tani në dispozicion tri miliardë euro shtesë.
News 24: Por kritikët thonë se pikërisht politika klimatike e varfëron Gjermaninë. Çfarë i kundërvë qeveria kësaj frike?
Auron Dodi: Ministri gjerman i Ambjentit Schneider kujtoi se mosveprimi krejt kushton edhe më shtrenjtë.
Vetë i nxehti e konsumon pasurinë. Sepse temperaturat e larta, ulin prodhimtarinë; pra dëmi vjen edhe pa asnjë detyrim klimatik.
Sinjali i ministrit gjerman të ambjentit drejt ekonomistëve liberalë pra ishte: kush u druhet kostove, duhet të veprojë edhe më fort.
Sektori i teknologjisë së gjelbër vërtet nuk është medikament për çdo sëmundje, por është një shpresë, që nuk duhet lënë të ikë drejt Azisë.
News 24: Në fund qëndron shoqëria. A i shtyjnë vërtet të veprojnë njerëzit javët rekord të vapës që kaluan, apo ende nuk ishte mjaftueshëm nxehtë?
Auron Dodi: Disa vëzhgues shohin një paralizim në mjaft aspekte. Disa duan braktisjen e naftës , gazit, qymyrit, me çdo çmim. Të tjerët e kundërshtojnë këtë dhe e kërkojnë fajin gjetkë; dikush pyeti madje me ironi nëse edhe migrimi është problem klimatik, cënon klimën. Por shumë analistë e kundërshtojnë ndjenjën e fatalizmit. Dhe kujtojnë se Gjermania ka fuqinë dhe dijen për t’i dalë përballë edhe krizës aktuale, si në të kaluarën. Vapa e madhe ndoshta mund të jetë një moment për ta çliruar debatin për klimën, nga frika.
Po nëse sërish nuk do të ndryshojë gjë, atëherë ndoshta për disa javët e shkuara nuk ishte të nxehta sa duhet për veprim.
