Një organizatë ndërkombëtare me ndikim në qarqet progresiste, Progressive International, ka publikuar dosjen “The Edi Rama Files“, një material voluminoz që përmbledh dokumente, vendime të institucioneve shqiptare dhe referenca nga hetimet e SPAK-ut, duke ngritur pretendime se projektet më të mëdha të zhvillimit në Shqipëri janë ndërtuar mbi një sistem lejesh, statusesh të investitorëve strategjikë dhe vendimesh të firmosura nga kryeministri Edi Rama.
Publikimi është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, David Adler, i cili në një reagim në rrjetin X e cilëson dosjen si “shpërthyese”, duke pretenduar se ajo e vendos kryeministrin shqiptar në qendër të një rrjeti të gjerë të pasurive të paluajtshme, që shtrihet nga bregdeti deri në zemër të Tiranës.
“Vetëm javën e kaluar isha në Tiranë për të mbështetur lëvizjen e protestës së Flamingove. Këto dosje tregojnë se projekti në Zvërnec është vetëm maja e ajsbergut. Ato zbulojnë një sistem të tërë lejesh, statusesh dhe shpronësimesh, i drejtuar nga një njeri i vetëm: Edi Rama”, shkruan Adler.

Sipas autorëve, dosja bazohet në vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), akte qeveritare, dokumente gjyqësore dhe materiale të hetimeve të SPAK-ut.
Një pjesë e rëndësishme i kushtohet projektit të resortit në Zvërnec, ku autorët pretendojnë se ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura, dhënia e statusit të Investitorit Strategjik dhe lejet e ndërtimit krijuan kushtet për zhvillimin e projektit. Dosja i referohet gjithashtu hetimit të SPAK-ut për përfitimin e tokës dhe dokumenteve që lidhen me këtë çështje.
Materiali ndalet edhe te resorti në Palasë. Autorët lidhin vendimin e KKT-së të vitit 2014, të firmosur nga Edi Rama, me zonën kadastrale që përmendet në hetimin e SPAK-ut. Në dosje përfshihen edhe referenca ndaj përgjimeve të publikuara në aktet hetimore, ku, sipas autorëve, diskutohet për pagesa milionëshe për sigurimin e lejeve të ndërtimit dhe përfshirjen e pronave në projektet turistike. Këto janë pretendime të përfshira në dosje dhe nuk përbëjnë konstatime gjyqësore përfundimtare.
Autorët argumentojnë se statusi i “Investitorit Strategjik”, i krijuar gjatë qeverisjes së Edi Ramës, është përdorur si instrument që ka kufizuar mundësinë e pronarëve për të kundërshtuar në gjykatë projektet e mëdha të zhvillimit.
Dosja e Progressive International i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i kushtojë më shumë vëmendje zhvillimeve në Shqipëri, ndërsa protestat e nisura për projektin e Zvërnecit i cilëson si një reagim qytetar ndaj mënyrës së qeverisjes së vendit.
Good morning 🌞🇦🇱
Today, the @ProgIntl publishes Edi Rama Files 🚨, an explosive dossier that places Albanian Prime Minister Edi Rama at the helm of an illicit real estate empire that stretches from the country’s coast to its capital.
Just last week, I was in Tirana to support…
— David Adler (@davidrkadler) July 7, 2026
STATUSI I PLOTE I DAVID ADLER
Sot, @ProgIntl publikon “Dosjet Edi Rama” (Edi Rama Files) 🚨, një dosje shpërthyese që e vendos kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në krye të një perandorie të paligjshme të pasurive të paluajtshme, që shtrihet nga bregdeti i vendit deri në kryeqytet.
Vetëm javën e kaluar isha në Tiranë për të mbështetur lëvizjen e protestës së “Flamingove”: shqiptarët që janë ngritur kundër planit miliardë dollarësh të familjes Trump për privatizimin e ligatinave të tyre të mbrojtura.
Këto dosje tregojnë se ky projekt është vetëm maja e ajsbergut — një sistem i gjerë lejesh, statusesh dhe shpronësimesh, i drejtuar nga një njeri i vetëm: Edi Rama, i preferuari i Bashkimit Evropian.
Dosjet ofrojnë një pamje të detajuar hetimore mbi ekonominë politike të kleptokracisë në pragun e Evropës — dhe është hera e parë që këto dokumente publikohen dhe i prezantohen një audience ndërkombëtare.
Prandaj, hidhuni një sy — shpërndajeni lajmin — dhe qëndroni në krah të popullit shqiptar, i cili del në rrugë ditë pas dite për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj asaj që autori e përshkruan si grushti i heshtur, por vdekjeprurës, i Edi Ramës kundër vendit të tij.

