Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka kujtuar njëvjetorin e lirimit të tij, duke e cilësuar periudhën e burgimit si një “sprovë të burgosjes politike”.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji u shpreh se pushteti mund të kufizojë përkohësisht lirinë e një njeriu, por nuk mund të burgosë bindjet, të vërtetën dhe idealet që ai përfaqëson.
Salianji thekson se Shqipëria ka nevojë për institucione që respektojnë ligjin, për një politikë që pranon mendimin ndryshe dhe për qytetarë që nuk heqin dorë nga kërkesa për më shumë demokraci, drejtësi dhe llogaridhënie.
Në përfundim të mesazhit, deputeti demokrat shprehet se një vit pas lirimit të tij bindja është bërë edhe më e fortë, duke nënvizuar se pengesat mund ta vonojnë rrugën, por nuk mund ta ndryshojnë drejtimin. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.

“Sot, një vit liri.
Një vit më parë mori fund sprova e burgosjes politike. E sanksionuar si e tillë nga 6 rezoluta ndërkombëtare! Pushteti mund të shtrëngojë, mund të kufizojë përkohësisht lirinë e një njeriu, por nuk mund të burgosë kurrë bindjet, të vërtetën dhe idealet që ai ka.
Përherë kam zgjedhur të mos ndryshoj bindjet për t’iu përshtatur rrethanave. Sepse liria nuk është privilegj që të jepet nga pushteti; është e drejtë që mbrohet çdo ditë.
Shqipëria ka nevojë për institucione që respektojnë ligjin, për politikë që pranon mendimin ndryshe dhe për qytetarë që nuk heqin dorë nga e drejta për të kërkuar më shumë demokraci, më shumë drejtësi dhe më shumë llogaridhënie.
Një vit më vonë, bindja ime është edhe më e fortë: pengesat mund ta vonojnë rrugën, por nuk e ndryshojnë drejtimin.
Mirënjohje për mbështetjen e jashtëzakonshme”, shkruan Salianji.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb