Falë mbështetjes së programit EU4Innovation, një nismë e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), dhe e zbatuar nga GIZ Shqipëri dhe Ambasada Suedeze në Tiranë, disa sipërmarrës shqiptarë po kthejnë pasionin dhe idetë e tyre në biznese të suksesshme.
Kjo mbështetje, nëpërmjet fondit prej 1 milion Euro të komponentit Challenge Fund, i cili zbatohet në bashkëpunim me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, po ndihmon njerëz të zakonshëm, por me ide të mëdha të krijojnë vende pune, të forcojnë komunitetet e tyre dhe të çojnë produktet shqiptare përtej kufijve.
Në Tiranë, Marsela dhe Anila kanë themeluar “Panja”, furra e parë e bukës dhe dyqani i parë në Shqipëri me produkte 100% pa gluten dhe pa laktozë. Rrugëtimi i Marselës nisi nga një përvojë personale e vështirë. Kur u vendos përballë sklerozës multiple, ajo gjeti një regjim ushqimor të shëndetshëm që u bë më vonë baza e sipërmarrjes. “Falë mbështetjes krijuam një produkt me standard më të lartë, duke ulur kohën në procesin e punës dhe duke rritur gamën e produkteve tona,” thotë ajo, duke shtuar se biznesi ka tashmë shumë klientë të huaj që vizitojnë Shqipërinë.
Shefja e kuzhinës, Anila, e cila ka studiuar në Milano, është autore e të gjitha recetave.
“Janë produkte që bëhen me dashuri dhe kanë një shije, edhe pse pretendohet se produktet pa gluten dhe pa laktozë nuk kanë shije,” thotë ajo. Në një fermë të biznesit mbillen edhe farat e veta të bishtajoreve, ndërsa çdo proces, nga krijimi i kremit të pistakut te qumështi i bajames, kryhet brenda kompanisë. E hapur në mars të vitit 2023, kjo sipërmarrje ndërton marrëdhënien me klientët përmes rrjeteve sociale, fjalëve nga goja në gojë dhe aktiviteteve si “bëhu shef për një ditë” për fëmijët. Biznesi ka investuar edhe në pajisje moderne që kanë rritur efikasitetin e prodhimit dhe kanë ulur kostot operacionale.
Po në Tiranë, Nikolin Kola ka ngritur “Artizani”, furra e parë në Shqipëri që ofron një proces tërësisht organik të prodhimit të bukës, nga kultivimi i drithërave deri te bluarja me gur dhe fermentimi natyral. Ideja e tij lindi gjatë pandemisë, kur filloi të prodhonte bukë me tharm.
“Pashë efektin magjik të krijimit të bulzave të tharmit,” tregon Kola, i cili nisi udhëtimin e tij në vitin 2020, duke mësuar hap pas hapi si bëhet buka me brumë të ardhur, më pas teknologjitë e bluarjes së miellit. Kërkimi për cilësi e çoi drejt tokave të prindërve në Lezhë, ku filloi të mbjellë drithërat dhe të mësojë për farat autoktone. Në vitin e katërt, rritja e biznesit kërkoi hapësira të reja dhe kështu erdhi në Tiranë.
Kur rritja e sipërmarrjes arriti pikën ku bëhej e vështirë të përballohej vetë, Kola aplikoi për financim në Challenge Fund pikërisht në ato hallka të prodhimit që krijonin ngushtica, si bluarja dhe pastrimi i drithërave. Sot furra punon me një mulli ukrainas, të cilin e konsideron ndër më të mirët në treg, duke treguar se tradita dhe inovacioni mund të ecin së bashku.
Në Koplik të Shkodrës, ndodhet Happy Farmers, një fermë e qëndrueshme e specializuar në kultivimin e sherebelës, livandës dhe trumzës, e shtrirë në 150 hektarë me bimë mjekësore, e krijuar nga Ervin Çeraj.
Rreth 70% e produkteve shkojnë drejt Gjermanisë, ku përdoren në industrinë farmaceutike, ushqimore dhe kozmetike. Sherebela është produkti më i kërkuar dhe konkurron me cilësi të pashoqe në treg, ndërsa livanda, si produkt më specifik, ka gjetur treg në disa vende evropiane si Gjermania, Franca, Spanja, Anglia dhe Bullgaria. Këto dy bimë mbeten produktet kryesore të fermës.
Një nga risitë kryesore të biznesit është trajtimi i bimëve mjekësore sipas standardeve evropiane, duke rritur efikasitetin e procesit, ulur kostot operacionale dhe duke mbrojtur prodhimin gjatë gjithë vitit.
Raste të tilla tregojnë se si ide të thjeshta, të lindura shpesh nga nevoja personale apo kurioziteti, mund të kthehen në biznese që krijojnë vende pune dhe çojnë përpara produktin shqiptar, duke ruajtur standardet evropiane.
