Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni deklaroi se NATO mbetet një aleancë e bashkuar dhe e vendosur për të përballuar sfidat e sigurisë, ndërsa konfirmoi angazhimin e Italisë për të rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes.
Pas përfundimit të samitit të NATO-s në Ankara, Meloni tha se Italia do të respektojë angazhimet e saj, por në mënyrë të qëndrueshme.
“Ne duam të respektojmë angazhimet për shpenzimet e mbrojtjes. Është diçka që po e bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, por duke përcaktuar kohët, mënyrat dhe prioritetet sipas situatës së përgjithshme”, u shpreh ajo.
Sipas kryeministres italiane, investimet në mbrojtje duhet të mbështesin industrinë vendase dhe zhvillimin teknologjik të Italisë. Duke komentuar konfliktin me Iranin, Meloni ritheksoi se Italia nuk ka marrë pjesë në operacionet ushtarake.
“Italia tha që në fillim se nuk do të merrte pjesë në sulme kundër Iranit dhe nuk mori pjesë në to”, deklaroi ajo. Megjithatë, Meloni konfirmoi gatishmërinë e Romës për të kontribuar në pastrimin e Ngushtica e Hormuzit nga minat detare, pavarësisht zhvillimeve të fundit në rajon.
E pyetur për një postim të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, që sipas gazetarëve lidhej edhe me të, Meloni refuzoi të komentonte, duke theksuar se nuk pendohet për mënyrën se si ka ndërtuar marrëdhëniet me Trump.
Ajo shtoi se ka investuar në ruajtjen e unitetit të Perëndimit dhe se ndan me presidentin amerikan qëndrime të përbashkëta për çështje si emigracioni dhe ajo që e cilësoi si “kultura woke”.
