Forcat amerikane kanë publikuar një video që, sipas tyre, tregon përdorimin e parë në operacione luftarake të dronëve detarë kamikazë gjatë sulmeve ndaj një nëndetëseje iraniane dhe objekteve të mirëmbajtjes së anijeve.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se tre mjete sipërfaqësore pa pilot të tipit Corsair goditën gjatë natës portin e Bazës Detare Bandar Abbas në Iran.

“Tre anije sipërfaqësore pa pilot të tipit Corsair goditën portin e Bazës Detare Bandar Abbas, duke shënuar herën e parë që forcat amerikane kanë përdorur dronë detarë në operacione luftarake”, deklaroi CENTCOM.

Sipas ushtrisë amerikane, sulmet kishin për qëllim dobësimin e kapaciteteve të Iranit për të ndërmarrë sulme ndaj anijeve tregtare.

“Sulmet e natës së kaluar dobësuan aftësinë e Iranit për të vazhduar sulmet ndaj anijeve tregtare”, thuhet në deklaratën e CENTCOM.

Përdorimi i mjeteve detare pa pilot shënon një zhvillim të ri në operacionet amerikane, duke zgjeruar përdorimin e teknologjisë autonome në fushën e betejës detare. Sulmet vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, veçanërisht lidhur me sigurinë e transportit detar në rajonin e Gjirit Persik dhe Ngushticës së Hormuzit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: