Ish-deputeti Lefter Maliqi ka reaguar ashpër pas vendimit të SPAK për të marrë të pandehur ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi. Përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë dhe të koduar, Maliqi ka shënjestruar kryebashkiakun aktual të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, duke i kujtuar se fati i tij do të jetë i njëjtë sapo të humbasë pushtetin.
Maliqi shkruan se Kokoneshi po shkon drejt burgut për shkak të lejeve të dhëna në tokë bujqësore për impiante diellore, ndërsa pyet Hajdarin se çfarë do të bëhet me të për lejen e ndërtimit të ujësjellësit mbi 4 milionë euro në tokë të Gramshit, pa leje mjedisore dhe në zonë të mbrojtur.
“Po re nga fiku të gjithë të shesin, Hajdar! Kolegu juaj, ish-kryetari i Bashkisë Divjakë, Kokoneshi, pasi ra nga detyra, sot u mor i pandehur nga SPAK, drejt burgut… Po ti, Hajdar, që miratove leje për ndërtim ujësjellësi mbi 4 milionë euro në tokë të Gramshit dhe jo të Kuçovës, pa leje mjedisi, në zonë të mbrojtur? Po për 10 kallëzime të tjera të rënda?”, shpërthen Maliqi.
Sipas ish-deputetit, Hajdari aktualisht po mbrohet nga oligarkë, firma ndërtimi dhe politikanë që kanë interesa për ta keqpërdorur, por paralajmëron se sapo të bjerë nga karrigia, të gjithë do ta shesin, ashtu siç ndodhi me ish-kryetarët e Durrësit, Kavajës, Fushë-Arrëzit e Himarës.
Maliqi shton se do ta vazhdojë betejën ligjore megjithëse e di që Hajdari mbrohet në SPAK, Gjykatë e KQZ. “Gjëja e dhuruar dhe e vjedhur nuk gëzohet, të del nga hundët, thotë populli! Vazhdo, Hajdar, gëzohu edhe ca muaj, se ka Zot. Të gjitha do të lahen!”, mbyll reagimin e tij Lefter Maliqi.
