Me një sjellje të paprecedentë, të dhunshme dhe agresive, deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ndaj gazetarit të News24, Marsel Rupi, në hyrje të Kryesisë së Kuvendit. Në pamjet e publikuara duket momenti kur gazetari i afrohet deputetit duke i drejtuar një pyetje në mënyrë të qetë, ndërsa Braçe e shtyn dhe më pas përdor një gjuhë të papërshtatshme.
Pamjet janë filmuar me telefon nga një qytetar shqiptar i diasporës, i cili ndodhej përpara Kuvendit. Prania e tij duket se ka shkaktuar irritim te deputeti socialist, i cili më pas ka reaguar me tone të ashpra edhe ndaj personit që po filmonte.
“Pakënaqësinë” e tij Braçe e ka shfaqur ndaj gazetarit të News24, pavarësisht se ky i fundit dëgjohet t’i sqarojë se nuk ka lidhje me personin që po realizonte filmimin.
Në pamjet e publikuara dëgjohen gjithashtu fjalë fyese dhe tone agresive nga ana e deputetit ndaj qytetarit që po filmonte.
News24 dënon ashpër çdo sjellje që cenon sigurinë dhe integritetin e gazetarëve të këtij televizioni gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Gazetarët kanë të drejtë të bëjnë pyetje ndaj zyrtarëve publikë, ndërsa këta të fundit kanë të drejtën të mos përgjigjen. Megjithatë, asnjë rrethanë nuk justifikon përdorimin e forcës fizike, intimidimin apo pengimin e punës së medias.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar duke e cilësuar të papranueshme çdo formë pengimi, intimidimi apo kontakti fizik ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës. Organizata u ka bërë thirrje zyrtarëve publikë të respektojnë rolin e medias dhe deputetit Erion Braçe i ka kërkuar reflektim dhe një ndjesë publike ndaj gazetarit Marsel Rupi.
