Dy burra nga Letonia janë arrestuar në Britani, pasi dyshohet se kanë hyrë pa leje në bazën ushtarake RAF Molesuorth në Cambridgeshire.

Ngjarja u zbulua rreth orës 22:00 të së mërkurës, kur një patrullë sigurie e Policisë së Ministrisë së Mbrojtjes identifikoi një automjet të braktisur pranë bazës. Pas kontrolleve të kryera nga policia, u konstatua një dëmtim i vogël në rrethimin e perimetrit të bazës dhe dy personat, 36 dhe 32 vjeç, u gjetën brenda saj.

Fillimisht ata u arrestuan nën dyshimin për hyrje të paligjshme në një zonë të ndaluar dhe dëmtim të pronës. Më pas, dyshimet ndaj tyre u zgjeruan dhe ata u arrestuan edhe në bazë të nenit 4 të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023, për hyrje në një vend të ndaluar me një qëllim që mund të cenojë interesat e Mbretërisë së Bashkuar.

Hetimet po kryhen nga policia kundër terrorizmit. Autoritetet britanike kanë deklaruar se, në këtë fazë, nuk ka prova që incidenti të jetë i lidhur me ngjarjen e fundit në bazën RAF Fairford në Gloucestershire.

RAF Molesëorth konsiderohet një objekt me rëndësi strategjike, pasi aty ndodhen qendra amerikane të inteligjencës për Evropën dhe Afrikën, si dhe një qendër e inteligjencës së NATO-s.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb