Kompania shtetërore e industrisë së mbrojtjes, KAYO, ka marrë miliona euro financime nga buxheti i shtetit, por deri më tani nuk ka dhënë rezultate konkrete në prodhimin apo zhvillimin e industrisë ushtarake.
Sipas të dhënave nga pagesat e thesarit të siguruara nga Open Spending Albania, KAYO është kontraktuar në 4 procedura me një vlerë totale prej rreth 919 milionë lekësh, ose afërsisht 9 milionë euro.
Fondet janë përdorur për investime teknike dhe kapitale, përfshirë blerje automjetesh, pajisjesh dhe transferta për kapacitete ushtarake. Por pavarësisht financimeve të konsiderueshme, kompania nuk ka bërë publike deri tani projekte të përfunduara, linja prodhimi apo produkte konkrete të dala nga aktiviteti i saj.
KAYO u krijua nga qeveria në vitin e kaluar si pjesë e ristrukturimit të industrisë së mbrojtjes, me objektiva ambicioze: prodhimin, riparimin, demilitarizimin dhe tregtimin e pajisjeve ushtarake dhe armëve. Kompania shtetërore është bërë gjithashtu aksionere në disa subjekte të reja të industrisë së mbrojtjes, përfshirë Guna Tactical dhe kompani të tjera që synojnë prodhimin e pajisjeve taktike, mjeteve speciale dhe municioneve sipas standardeve të NATO-s.
Por ndërsa buxheti i mbrojtjes është rritur ndjeshëm dhe kompanive të reja u janë dhënë fonde publike, mbetet ende pa përgjigje pyetja se çfarë është prodhuar konkretisht dhe çfarë kapacitetesh të reja janë krijuar.
KAYO ka marrë miliona nga paratë publike, por deri më tani bilanci i rezultateve mbetet i paqartë.
