Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani që u plagos rëndë në syrin e majtë gjatë protestës studentore të 24 tetorit në Tiranë, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga spitali në Itali, pas ndërhyrjes kirurgjikale që i shpëtoi syrin.

“Kur Zoti vendos të bëjë mrekulli, asgjë nuk është e pamundur”, shkruan i riu, duke përcjellë mesazhin e tij pas operacionit.

2222
2222

Edhe miqtë dhe të afërmit e Erjonit kanë publikuar fotografi me të në spital, duke e shoqëruar me mbishkrimin “Tigri ynë!”, në shenjë mbështetjeje për 28-vjeçarin, i cili është përballur me një periudhë të vështirë pas plagosjes gjatë protestës.

111
111

Lajmi për përfundimin me sukses të ndërhyrjes kirurgjikale ka sjellë lehtësim, megjithatë, rikuperimi i plotë i shikimit mbetet një proces që do të vlerësohet nga mjekët në vijim.

Historia e Erjon Vishkullit nisi gjatë protestës kombëtare të studentëve, më 24 tetor, në Tiranë. 28-vjeçari nga Elbasani u plagos në syrin e majtë, pasi u godit nga një objekt që dyshohet se ishte plumb gome, gjatë përplasjes me policinë. Pas ngjarjes, ai u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua ndërhyrjes së parë kirurgjikale.

Për shkak të dëmtimit të rëndë dhe nevojës për trajtim të specializuar, Vishkulli u dërgua më pas në Itali. Më 25 tetor, ai njoftoi se kishte mbërritur në Romë, ku pritej t’i nënshtrohej një tjetër ndërhyrjeje, duke shpresuar se do të arrinte të shpëtonte shikimin.

Fillimisht, operacioni u ndërpre për shkak të një hemorragjie të shfaqur gjatë ndërhyrjes, duke u shtyrë për të nesërmen. Më 28 tetor, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, njoftoi se operacioni në klinikën “Gemelli” në Romë kishte përfunduar me sukses. Sipas saj, ndërhyrja e kryer nga profesori Stanislao Rizzo arriti të shpëtonte syrin e 28-vjeçarit. Megjithatë, rikthimi i shikimit mbetet një proces që do të ndiqet nga mjekët.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plagosjes së Vishkullit dhe për të verifikuar dyshimet për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit.

Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë pranë Bankës së Shqipërisë, kanë këqyrur vendngjarjen dhe kanë marrë në cilësinë e provës materiale gëzhoja municionesh me plumba gome. Po verifikohen gjithashtu armët dhe municionet e përdorura nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Prokuroria synon të përcaktojë me ekspertizë llojin e objektit që e plagosi të riun dhe të identifikojë personin që mund të ketë qëlluar. Hetimi përfshin edhe raste të tjera të personave të dëmtuar gjatë protestës.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb