Zinxhiri global i energjisë përballet me një tjetër kërcënim të mundshëm pas tensioneve në Lindjen e Mesme. Irani raportohet se u ka kërkuar rebelëve Huthi në Jemen të jenë të gatshëm për mbylljen e korridorit të transportit detar të naftës në Detin e Kuq, në rast se Shtetet e Bashkuara sulmojnë infrastrukturën energjetike iraniane.
Sipas burimeve të cituara nga Reuters, ideja është diskutuar brenda udhëheqjes iraniane dhe mesazhi i është përcjellë Huthëve nga aleatë të afërt të Teheranit. Dy burime të larta iraniane dhe një burim rajonal me dijeni mbi çështjen kanë bërë të ditur se kërkesa është komunikuar së fundmi, por pa dhënë detaje mbi mënyrën e transmetimit të saj.
Një burim pranë Huthëve ka deklaruar se grupi ka përfunduar përgatitjet për sulme ndaj anijeve, duke vendosur raketa dhe dronë pranë Ngushticës Bab el-Mandab, hyrja strategjike e Detit të Kuq, në zona malore me pamje nga Hodeida dhe Gjiri i Adenit. Sipas tij, grupi është në pritje të urdhrave për të nisur operacionet.
Një ndërprerje e trafikut detar në Detin e Kuq do të sillte pasoja të mëdha për tregjet globale të energjisë, veçanërisht nëse kombinohet me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, një tjetër rrugë kyçe për eksportet e naftës nga Lindja e Mesme.
Ekspertët paralajmërojnë se mbyllja e të dy korridoreve do të krijonte një krizë të re në furnizimet globale, duke kufizuar transportin e naftës, duke rritur kostot e sigurimit dhe duke ushtruar presion mbi çmimet.
Një burim rajonal tha se përfaqësues të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, të cilët ndodhen tashmë në Jemen, mund të kenë rol në vendimmarrjen për aktivizimin e operacioneve në Bab el-Mandab.
Tensionet në rajon janë rritur më tej pasi Huthitët kanë ndërmarrë sulme me raketa ndaj Arabisë Saudite, duke pretenduar se kishin reaguar ndaj një sulmi ndaj një aeroporti nën kontrollin e tyre. Ky zhvillim ka ngritur shqetësime për rikthimin e përplasjeve mes grupit jemenas dhe Riadit.
Analisti i Lindjes së Mesme në firmën e analizës së riskut Verisk Maplecroft, Torbjorn Soltvedt, tha se çdo përshkallëzim që prek infrastrukturën energjetike dhe transportin detar në Detin e Kuq do të përbënte një kërcënim serioz për eksportet e naftës nga rajoni.
Çmimet e naftës reagojnë ndaj tensioneve
Pas raportimeve për përshkallëzimin e situatës, çmimet e naftës pësuan rritje. Nafta Brent u rrit me më shumë se 1%, duke arritur në rreth 85.88 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u rrit në rreth 80.49 dollarë për fuçi.
Ekspertët e tregjeve financiare vlerësojnë se një krizë e njëkohshme në Ngushticën e Hormuzit dhe Bab el-Mandab do të rëndonte ndjeshëm zinxhirin global të furnizimit me energji dhe do të rriste kostot e transportit detar.
Deti i Kuq është një nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë globale, ndërsa Ngushtica Bab el-Mandab lidh Oqeanin Indian me Kanalin e Suezit, duke e bërë atë një pikë strategjike për transportin e naftës dhe mallrave.
