Kryeministri Edi Rama, në krah të komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria nuk do të lërë asnjë detyrë pa përmbushur në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij në Samitin e Planit të Rritjes në Tiranë, Rama u shpreh se përmbushja e detyrimeve nuk bëhet thjesht për shkak të kërkesave të Brukselit, por për të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve shqiptarë.

“Zyshën e kam në krah”, u shpreh Rama, duke iu referuar Marta Kos, ndërsa theksoi se diferencën mes Shqipërisë dhe vendeve europiane me të cilat synon të afrohet e bëjnë institucionet.

Sipas kryeministrit, mangësitë institucionale janë ende ato që e dallojnë Shqipërinë nga vendet ku synon të ngjajë.

“Ne nuk do të lëmë gjë mangët për në BE, jo se na i kërkon zysha që kam në krah, por na e kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë, e nesërmja e vendit tonë, që na imponon të bëjmë pikë për pikë detyrat e vendit tonë. Është një detyrë e kryer në funksion të konsolidimit të institucioneve. Në fund, diferencën e bëjnë institucionet. Mangësitë e institucioneve janë ato që na dallojnë akoma nga vendet që dua t’u ngjajmë. Nuk kërkojmë dhurata, as bypass dhe as mbyllje të syve, por vetëm të marrim maksimumin e detyrave dhe t’i plotësojmë ato”, deklaroi Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb