Armëpushimi i arritur muajin e kaluar është thyer plotësisht, duke u pasuar nga sulme dhe kundërsulme të përditshme që kanë bllokuar pothuajse tërësisht transportin detar përmes Ngushticës strategjike të Hormuzit. Kjo situatë ka rikthyer alarmet e investitorëve për pasojat e rënda që lufta e nisur në shkurt nga SHBA dhe Izraeli po shkakton në ekonominë globale.

Ushtria amerikane njoftoi se ka përfunduar një tjetër natë sulmesh intensive kundër objektivave ushtarake në Iran, me qëllim dobësimin e kapaciteteve të tij. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) sqaroi se avionë luftarakë, dronë dhe anije luftarake kanë goditur me municione precize dhjetëra objektiva në ishullin Qeshm dhe pranë Bandar Abbas, ku ndodhet porti më i madh iranian, përfshirë infrastrukturën logjistike të Gardës Revolucionare dhe mbrojtjen ajrore.

Nga ana tjetër, agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve “Tasnim” raportoi se një civil mbeti i vrarë nga sulmet amerikane në zonën Pasabandar, pranë qytetit portual të Chabahar. Si kundërpërgjigje, Irani ka lëshuar një breshëri raketash dhe dronësh drejt bazave ushtarake amerikane në vendet fqinje, përfshirë një bazë ajrore në Jordani, ndërsa Teherani pretendon se ka sulmuar gjithashtu edhe në Siri për herë të parë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb