Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, i ftuar në studion e News24, ka komentuar qëndresën popullore që po zhvillohet në vend, duke theksuar se protesta masive që po vijon prej 47 ditësh është një lëvizje e pastër qytetare dhe jo partiake. Sipas tij, kërkesa e panegociueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama është tërësisht legjitime përballë skandaleve të shumta të qeverisë.

Kapri sqaroi se forca e kësaj proteste qëndron te faktit se ajo nuk është thirrur apo organizuar nga partitë politike, por ka buruar direkt nga revolta e qytetarëve, të cilët kanë shpalosur qartë kërkesat e tyre për një ndryshim rrënjësor në vend.

“Kjo është protesta e parë qytetare politike, jo partiake. Nuk është thirrur nga parti politike. Kërkesa për dorëheqjen e Ramës është politike dhe ajo do t’i hapte rrugën proceseve të tjera që janë ideuar në shesh. Nuk është sakrilegj të kërkosh dorëheqjen e një kryeministri që nuk është më legjitim, që është i përfshirë në korrupsion, ka afera dhe qeveris popullin më të varfër të Evropës”, u shpreh deputeti.

Sipas deputetit të Partisë “Mundësia”, refuzimi i kryeministrit për të lëshuar karrigen e pushtetit lidhet me frikën e madhe nga llogaridhënia përpara institucioneve të reja të drejtësisë.

“Dorëheqja do të ishte rruga më e lehtë për Edi Ramën. Ai refuzon ta japë sepse trembet nga ajo që mund të vijë pas. Nuk e shoh të jetë imun ndaj aferave korruptive që kanë pasur lejen dhe miratimin e tij gjatë qeverisjes. Ai po lufton me mish e me shpirt sepse i trembet fatit të tij politik dhe veçanërisht përballjes me drejtësinë”, deklaroi Kapri.

Në përfundim të fjalës së tij, Kapri dënoi gjuhën e përdorur nga kreu i qeverisë ndaj protestuesve, si dhe tentativat e policisë për të bërë presion mbi masën e njerëzve që mbushin sheshet çdo ditë.

“Rama u tha se qytetarët janë grekë, iranianë, serbë, i ka quajtur edhe ‘sorra’. Policia ka bërë presion, por sërish njerëzit nuk janë trembur dhe po qëndrojnë. Kjo protestë do ta anëtarësojë Shqipërinë në BE, jo Edi Rama”, përfundoi Erald Kapri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb