Një fenomen i pazakontë atmosferik ka habitur pushuesit në një plazh në Francë, ku një “mur” gjigant resh të errëta u shfaq papritur në horizont, duke ndryshuar brenda pak minutash kushtet e motit. Pamjet spektakolare u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa shumë përdorues e krahasuan skenën me një film katastrofash dhe e cilësuan si një “mini-cunami resh”. Megjithatë, meteorologët sqarojnë se bëhet fjalë për një fenomen të njohur të quajtur Galerne, një erë e ftohtë dhe e fuqishme që formohet si pasojë e kontrastit të madh të temperaturave mes tokës dhe detit.
Pirometeorologu Theodoros Giannaros, në një prononcim për ERT, theksoi se fenomeni nuk lidhet me një dukuri të re klimatike, por është një proces i njohur meteorologjik. Sipas tij, valët e të nxehtit ngrohin ndjeshëm ajrin mbi tokë, ndërsa ajri mbi Gjirin e Biskajës mbetet shumë më i freskët. Kur ndryshon drejtimi i erës, masa e ajrit të ftohtë përparon me shpejtësi drejt bregdetit, duke u futur poshtë ajrit të ngrohtë dhe duke e detyruar atë të ngrihet lart. Ky proces krijon re të dendura dhe imponuese, të cilat japin pamjen e një muri gjigant që lëviz drejt bregut.
Eksperti paralajmëroi se, pavarësisht pamjes mbresëlënëse, fenomeni mund të jetë i rrezikshëm, pasi shoqërohet me erëra shumë të forta që në disa raste arrijnë intensitet stuhie, duke paraqitur rrezik për pushuesit dhe mjetet lundruese. Sipas Giannaros, vala e fortë e të nxehtit që ka përfshirë rajonin ka gjasa ta ketë bërë fenomenin edhe më intensiv, duke krijuar kontraste edhe më të mëdha temperaturash mes tokës dhe detit.
A spectacular #galerna, a sudden cold Atlantic wind typical of the Bay of Biscay, in mere moments swept across the vast beach of #Hendaye, France, causing a temperature drop of more than 15 °C. 🇫🇷🌬️🌡️ pic.twitter.com/YaC5n0JVmV
— Omne Europa (@neolatyno) July 13, 2026
