News24 intervistë me gazetarin e DW, Auron Dodi. Gazetari ka komentuar zhvillimet politike në Gjermani.

News24: A kanë të drejtë ta quajnë Gjermaninë shtëpi vetëm gjermanët etnikë, apo mund ta quajnë shtëpi, të gjithë që kanë lindur, punojnë e jetojnë në Gjermani? Qeveria gjermane nisi një program për forcimin e kohezionit rajonal e kombëtar, i cili është gjithëpërfshirës.

Jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW.

Auron, përshëndetje. Cili është synimi i këtij programi që nisi qeveria?
A.Dodi:
Synimi i programit të ri, që nisi Ministria Federale e Bujqësisë, Ushqimit dhe e Identitetit Rajonal është theksimi i konceptit se Gjermaninë, kanë të drejtë ta quajnë shtëpinë e tyre (Heimat), jo vetëm njerëz të etnisë gjermane. Por të gjithë ata që kontribuojnë për identitetin rajonal në Gjermani.
Qeveria gjermane nuk e vë theksin te koncepti tradicional i atdheut (Vaterland), i orientuar rreth etnisë, por te koncepti më përfshirës modern i “shtëpisë së përbashkët”, “Heimat”. Me të kuptohet vendi ose zona, që është ose është bërë, “shtëpia” e një personi.
Alois Rainer, Ministri gjerman për Identitetin Rajonal, nga CSU, e sqaroi këtë të enjten (16.07.), në Chorin të landit të Brandenburgut.
Për qeverinë, Heimat, shtëpia jote, është diçka që krijohet në mënyrë kolektive. Ajo krijohet kur njerëzit bashkohen në nivel lokal, si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale. Rëndësi ka këtu që të mbahet parasysh individi. Dhe ndjenja e “shtëpisë së përbashkët” është më e fortë kur njerëzit janë në gjendje ta formësojnë vetë atë.

Kjo tingëllon mirë. Por çfarë po bën saktësisht qeveria për të siguruar që ‘shtëpia’ të bëhet më shumë se thjesht një fjalë?
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Identitetit Rajonal paraqiti një “Agjendë për shtëpinë tënde” (Heimat-Agenda) me titullin “Së bashku e bëjmë shtëpinë” (Miteinander ist es Heimat). Ideja është se shteti nuk duhet të vendosë nga lart. Ai duhet t’u japë hapësirë njerëzve në nivel lokal. Prandaj qeveria do të pakësojë edhe këtu burokracinë. Vendimet, u tha, duhet të merren po aty ku bëjnë efektin. Dhe mbështetja që jepet, duhet të jetë e vazhdueshme, jo me mundim, nga projekti në projekt.
Programi i ri mbështetet në tri shtylla: në kulturën rajonale, të jetuar, në një bashkëpunim të fortë dhe në një ekonomi të shëndetshme, në nivel lokal.

Po praktikisht, çfarë do të thotë kjo për njerëzit në nivel lokal?
Thelbi i programit është dëgjimi i asaj që thonë njerëzit. Formati quhet “Dialogë për shtëpinë e përbashkët” (Heimat-Dialoge). Përfaqësues të Ministrisë do të shkojnë në rajone të Gjermanisë dhe do t’i pyesin më konkretisht njerëzit: Çfarë ju mungon? Një sondazh i madh do t’i mbledhë këto përgjigje që sivjet. Veç kësaj, personat që dallohen me angazhim në rajone, do të nderohen me një çmim të posaçëm.

Fondet e mbështetjes do të ndihmojnë idetë që vijnë drejtpërdrejt nga niveli lokal. Se si mund të duket kjo në praktikë, e tregon fshati Serwest në Brandenburg. Atje banorët riparuan shkollën e vjetër të fshatit, që rrinte bosh. Sot ajo është pikë takimi për të moshuarit, zjarrfikësit dhe për një grup joga. Në katin lart, së shpejti do të hapet një ambulancë mjekësore.
Si mund të përfitojë nga ky program dikush që ka ardhur nga jashtë dhe tani e quan Gjermaninë shtëpinë e tij?
Programi prek një çështje thelbësore: si e përcaktojmë përkatësinë dhe shtëpinë (Heimat) në një shoqëri si ajo gjermane, të formësuar edhe nga emigracioni.
Sipas qeverisë gjermane, programi i ri u drejtohet të gjithëve që jetojnë e angazhohen në nivel lokal në Gjermani, pa dallim se ç’origjinë kanë. Ai që jeton këtu, që kontribuon me punë, bën pjesë në këtë koncept. Ministria e formulon thjesht: mundësi të barabarta, pavarësisht se ku e ndien njeriu veten “në shtëpi”.
Këtu bëjnë pjesë edhe lagjet shumëngjyrëshe me të huaj, si p.sh. Berlin-Neukölln. Kush ka ardhur nga larg dhe ndërton bashkë me të tjerët, është pjesë e konceptit. Qeveria gjermane pozicionohet këtu qëllimisht qartë. Prandaj gazeta Süddeutsche Zeitung shkroi për një “front me emrin shtëpia jote(Heimat)”, sepse jo të gjithë e kuptojnë kaq gjerë këtë fjalë.

Si qeveria, ashtu edhe forca ultra të djathta e përdorin fjalën “Heimat”, por me kuptime të ndryshme. Sa efekt praktik ka kjo?
Në një vend të formësuar edhe nga emigrantët, pyetja se kush e ka të drejtën ta quajë atë vend “shtëpi”-në e tij ka rëndësi për qëndrimin ndaj njerëzve dhe frymën ndaj banorëve. Kur prezantoi programin, Ministrin gjerman të Identitetit Rajonal Rainer e pyetën për partinë ultra të djathtë AfD, që ka mbështetje të fortë në fshat dhe që bën fushatë po me konceptin “Heimat”, të cilin e kupton ndryshe.
Ai tha se për qeverinë, ajo që dikush e quan shtëpinë e tij, pra “Heimat” s’është term i mbrojtur. „Heimat (shtëpia e përbashkët)”, tha ministri gjerman, “është e atyre që kujdesen për bashkëjetesën, jo atyre që i vënë njerëzit kundër njëri-tjetrit.“ Gjermanisë, tha ai, i duhen sërish njerëz që japin shpresë dhe guxim, jo njerëz që nxijnë gjithçka pa pushim.

Çfarë duhet të ndodhë tani, që synimi të japë fryte?
Përgjigjja varet nga vetë vendet ku jetojnë njerëzit. Agjenda është lënë me qëllim e hapur: do të zhvillohet më tej duke dëgjuar njerëzit dhe duke regjistruar idetë e tyre.
Natyrisht nuk është gjithmonë e lehtë. Në fshat, ku jetojnë 57% e banorëve të Gjermanisë, ndodh që mungojnë edhe mjekë, apo shkolla. Shumë të rinj largohen që atje. Pikërisht këtë boshllëk kërkon të mbushë programi. Skema e financimit mbështet idetë që burojnë drejtpërdrejt nga zonat rurale. Dhe shpresa nuk mungon. Ka mjaft njerëz që angazhohen vullnetarisht, për rajonin e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: