Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka mbajtur një fjalim kritik në seancën plenare, duke u ndalur te protestat e vazhdueshme dhe situata politike në vend. Kapri tha se protestat po vazhdojnë, ndërsa akuzoi Policinë e Shtetit se po angazhohet për të mbrojtur qeverinë dhe deputetët nga reagimi i qytetarëve.

Deputeti deklaroi se Kuvendi dhe mazhoranca kanë humbur legjitimitetin politik, duke shtuar se kryeministri Edi Rama nuk ka qeverisur normalisht asnjë ditë gjatë kësaj periudhe. Ai përmendi edhe disa zhvillime politike të muajve të fundit, duke iu referuar, sipas tij, skandalit që përfshiu ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, si dhe protestave kundër projektit në Zvërnec.

Kapri shtoi se qeveria jo vetëm që ka humbur legjitimitetin, por sipas tij është edhe në përplasje me Bashkimin Europian. “Protestat vijojnë. Policia blindon rrugën, institucionet, vetëm që t’u mbrojnë juve nga sulmet me vezë. Por dhe sa kohë do mbroheni?! Janë dhe 3 vite deri në përfundim të kësaj legjislaturë, Nëse nuk e keni kuptuar se kjo sallë e ka humbur legjitimitetin, por Rama nuk ka qeverisur në një ditë të vetme. Disa muaj pasi iu gëzua mandatit të ri, plasi skandali Balluku deh bëri disa ndryshime. Madje iu shkel dhe syri për shkak të investimit të Zvërnec, ndodhi protesta e madhe. Ndaj po e sulmoni protestën. Kjo qeveri jo vetëm që ka humbur legjitimitetin, por është në përplasje me BE. Rama thotë se është ligji më i mirë i bërë ndonjëherë. Minimumi që duhet të bëjmë është që të shpallim zgjedhje të parakohshme!”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb