Në zemër të Ankarasë, përballë Kompleksit Presidencial, ngrihet një nga muzetë më të veçantë që kam vizituar ndonjëherë. Nuk është një muze klasik, ku vizitori kalon nga një vitrinë tek tjetra duke lexuar etiketa të vogla. Përkundrazi, është një përvojë gjithëpërfshirëse që ndërthur arkitekturën moderne, teknologjinë multimediale, efektet zanore dhe elementët simbolikë për të treguar një nga momentet më dramatike të historisë moderne të Turqisë – tentativën për grusht shteti të 15 korrikut 2016.
Që në hyrje kupton se ky nuk është një muze i zakonshëm. Arkitektura e tij është konceptuar për të krijuar emocione dhe reflektim. Një pjesë e madhe e ndërtesës është ndërtuar nën tokë, ndërsa mbi sipërfaqe bie në sy kupola monumentale prej xhami, e cila simbolizon transparencën, demokracinë dhe dritën që triumfon mbi errësirën. Muzeu është projektuar si një rrugëtim, ku vizitori nuk është thjesht spektator, por bëhet pjesë e historisë.
Brenda muzeut ndodhen tetë salla tematike, secila e ndërtuar me një identitet të veçantë vizual dhe emocional. Çdo sallë përfaqëson një etapë të zhvillimeve të asaj nate dhe të pasojave që pasuan. Në vend të ekspozitave tradicionale, vizitori përballet me projeksione gjigante, instalacione artistike, ndriçim dramatik dhe efekte zanore që krijojnë ndjesinë sikur ngjarjet po zhvillohen në kohë reale.
Një nga elementët më mbresëlënës është korridori ku dritat, tingujt dhe vibrimet krijojnë iluzionin e kalimit nën një tank. Nuk ka nevojë për shumë fjalë; teknologjia arrin të komunikojë ankthin dhe pasigurinë që përjetuan qytetarët gjatë natës së grushtit të shtetit. Është një shembull i shkëlqyer se si muzeologjia moderne mund të përdorë efektet audiovizuale për të zgjuar emocione pa qenë nevoja të mbështetet vetëm tek tekstet shpjeguese.
Një tjetër aspekt që e bën muzeun unik është përdorimi i rrëfimit kronologjik. Vizitori ndjek minutë pas minute zhvillimin e ngjarjeve të 15 korrikut, duke parë fotografi autentike, video arkivore, deklarata televizive dhe dëshmi të njerëzve që ishin të pranishëm. Historia nuk rrëfehet në mënyrë lineare vetëm përmes dokumenteve, por përmes një kombinimi të imazhit, zërit dhe hapësirës, duke e bërë përvojën shumë më intensive.
Një nga sallat më prekëse është ajo kushtuar 251 personave që humbën jetën gjatë përplasjes. Fotografitë e tyre, biografitë dhe sendet personale ekspozohen me një ndjeshmëri të veçantë. Në shumë raste shfaqen video të shkurtra ku familjarët ose të afërmit rrëfejnë historinë e secilit. Kjo e largon muzeun nga dimensioni abstrakt i statistikave dhe e sjell historinë në nivel njerëzor. Çdo emër përfaqëson një jetë, një familje dhe një histori personale.
Muzeu është gjithashtu një shembull i avancuar i përdorimit të teknologjisë interaktive. Ekranet me prekje u japin vizitorëve mundësinë të eksplorojnë materiale arkivore, fotografi, dokumente dhe video sipas interesit të tyre. Në vend që informacioni të jetë i imponuar, secili krijon ritmin e vet të eksplorimit. Kjo e bën përvojën shumë më personale dhe më tërheqëse, sidomos për brezat e rinj që janë mësuar me teknologjinë digjitale. (Temas Teknoloji)
Nga pikëpamja artistike, muzeu shquhet për përdorimin e simbolikës. Drita dhe errësira përdoren vazhdimisht si metafora të konfliktit mes demokracisë dhe grushtit të shtetit. Në sallat e fundit, ndriçimi bëhet gradualisht më i fortë, duke simbolizuar rikthimin e shpresës dhe stabilitetit. Një pemë monumentale artificiale, e vendosur nën kupolën prej xhami, përfaqëson vazhdimësinë e shtetit dhe të kombit, ndërsa figurat njerëzore rreth saj simbolizojnë vigjiljen qytetare.
Edhe arkitektura e jashtme është pjesë e rrëfimit. Pas daljes nga muzeu, vizitori vazhdon përgjatë një shtegu memorial që e çon drejt Monumentit të Dëshmorëve të 15 Korrikut.
