Reshjet intensive të shiut dhe stuhitë e forta që kanë përfshirë disa zona të vendit kanë shkaktuar problematika në infrastrukturë, kryesisht në furnizimin me energji elektrike, ujë dhe në disa pika të transportit.

Sipas të dhënave të fundit nga autoritetet, aktualisht në rang vendi janë 21 fidera jashtë pune, ndërsa zonat më të prekura janë Vlora, Fieri, Saranda dhe Librazhdi.

Ekipet teknike vijojnë punën për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit normal me energji.

Në orët e para të mëngjesit është rikthyer në funksion Nënstacioni i Livadhjasë, duke mundësuar rikthimin e energjisë në disa zona.
Ndërkohë, situata në basenin e lumit Drin paraqitet e qetë, pa probleme të raportuara në kaskadë.

Në Sarandë, situata në Stacionin e Pompimit të Ujit të Ndotur (SPUN) është normalizuar, ndërsa edhe stacioni i pompimit në Ksamil ka rikthyer funksionimin normal.

Rrugët e bllokuara pranë Stacionit të Pompimit të Ujit të Pijshëm janë hapur dhe po vijon puna për largimin e pemëve të rrëzuara në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura (ITUN).

Në Durrës, kushtet e këqija atmosferike shkaktuan probleme të përkohshme në stacionet e pompimit në Fushë-Krujë dhe Çermë. Në stacionin e pompimit të Çermës, një elektropompë pësoi defekt, por ndërhyrja e ekipeve teknike bëri të mundur riparimin brenda pak orësh dhe rikthimin e saj në punë.

Në Fier, defekti në stacionin e Kafarajt është riparuar rreth orës 02:00, duke rikthyer furnizimin normal me ujë për qytetin.

Ndërkohë, në stacionin e Varibopit vijon mungesa e energjisë elektrike, çka ka bërë që qyteti i Patosit të mbetet pa furnizim me ujë. Ekipet po punojnë për rikthimin e energjisë.

Stuhia ka shkaktuar dëme edhe në Portin e Durrësit, ku në Terminalin e Kontejnerëve janë rrëzuar disa kontejnerë bosh. Tetë prej tyre kanë pësuar dëmtime më të konsiderueshme.

Në sektorët e tjerë të Portit të Durrësit aktiviteti vijon normalisht, ndërsa në Portin e Sarandës situata paraqitet e qetë dhe linja detare me Korfuzin funksionon pa probleme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb