Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi takimin “Transparenca dhe Integriteti në Veprimtarinë e Lobimit”, me fokus kuadrin e ri ligjor për lobimin në Republikën e Shqipërisë dhe paketën e projektakteve nënligjore që do të mundësojnë zbatimin e tij në praktikë. Takimi u përshëndet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi; Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni; Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Giulia Re; si dhe Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Sh.S. znj. Siri Walt. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile.
Në fjalën e tij, Komisioneri Dervishi theksoi se kuadri i ri për lobimin synon të rrisë transparencën mbi mënyrën se si interesa dhe aktorë të ndryshëm ndërveprojnë me vendimmarrjen publike.
“Kur përmendet fjala Lobim, shpesh krijohet përshtypja se biseda kryhet në korridor të errët, mundësisht edhe me perde të rënda e të mbyllura. Kuadri i ri ligjor, por edhe objektivi ynë, është t’i japë dritë këtij mjedisi dhe të kemi një marrëdhënie të institucionalizuar.”, u shpreh Komisioneri. Dervishi nënvizoi se në një sistem demokratik është e natyrshme që vendimmarrësit të dëgjojnë ekspertizën dhe interesat e grupeve të ndryshme, ndërsa problemi lind kur ndikimi mbetet i padukshëm ose kur mundësia për t’u dëgjuar perceptohet si privilegj i një numri të kufizuar aktorësh.
“Në një sistem demokratik, interesat trokasin në derën e vendimmarrjes. Por, publiku duhet ta dijë kush trokiti, për kë dhe për çfarë”, theksoi ai.
Ligji nr. 12/2026 “Për Lobimin në Republikën e Shqipërisë” i ka ngarkuar Zyrës së Komisionerit mbikëqyrjen e kuadrit të ri dhe kompetencën për hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore. Komisioneri theksoi se kjo përgjegjësi e re nuk është e shkëputur nga roli që institucioni ushtron prej vitesh si garant i së drejtës për informim, por lidhet drejtpërdrejt me transparencën, aksesin në informacion dhe llogaridhënien e institucioneve publike. “E drejta e informimit i mundëson publikut të njohë vendimet dhe dokumentet, ndërsa transparenca e veprimtarisë së lobimit bën të dukshme rrugën e ndikimeve që u paraprin vendimeve. Të dyja i shërbejnë një pushteti publik më të hapur dhe më të përgjegjshëm”, deklaroi Dervishi.
Gjatë aktivitetit u prezantua paketa me tetë projektakte nënligjore, e hartuar me ekspertizën e Këshillit të Evropës dhe financimin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Aktet përcaktojnë në mënyrë konkrete funksionimin dhe administrimin e Regjistrit të Lobimit, procedurat e regjistrimit, deklarimin e veprimtarisë së lobimit, identifikimin dhe menaxhimin e konfliktit të interesit, verifikimin dhe përditësimin e të dhënave, administrimin e dokumentacionit, si dhe standardet e sjelljes.
Komisioneri Dervishi e cilësoi këtë fushë të re përgjegjësie si një sfidë institucionale dhe rregullatore, duke vënë në dukje se rregullimi i lobimit vijon të zhvillohet edhe në vende të tjera dhe se nuk ekziston një model unik që mund të zbatohet mekanikisht në çdo sistem.
Sipas tij, Shqipëria duhet të përfitojë nga përvojat e vendeve që kanë ngritur më herët sisteme të tilla, por njëkohësisht të ndërtojë një mekanizëm që i përgjigjet kuadrit ligjor dhe realitetit shqiptar.
Në vijim të takimit u diskutua mbi transparencën e lobimit dhe integritetin në vendimmarrje nga perspektiva e politikave publike, standardet dhe praktikat evropiane për zbatimin efektiv të kuadrit ligjor, si dhe perspektiva e shoqërisë civile mbi transparencën, pjesëmarrjen dhe integritetin në vendimmarrje. Në panel kontribuuan përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit, Këshillit të Evropës dhe Lëvizjes Europiane në Shqipëri.
Aktiviteti vijoi me një diskutim të hapur, ku pjesëmarrësit patën mundësi të paraqesin pyetje, komente dhe rekomandime mbi paketën e projektakteve dhe mënyrën e funksionimit të sistemit të ri të lobimit.
Kontributi i institucioneve publike, ekspertëve, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe aktorëve që do të ndërveprojnë me sistemin e lobimit do të jetë i rëndësishëm për ndërtimin e një mekanizmi funksional, transparent dhe të zbatueshëm në praktikë.
