Një ngjarje tragjike ka tronditur Italinë, pasi një vajzë 9-vjeçare humbi jetën në liqenin e Komos, pasi u zhduk teksa po notonte me kushërinjtë e saj.

Alarmi u ngrit në mesditën e së martës, 21 korrik, në zonën “Giardini a Lago”, përballë Tempullit të Voltës, kur familjarët humbën kontaktin me vogëlushen. Pas disa orësh kërkime intensive, zhytësit e ekipeve të emergjencës arritën të gjenin trupin e saj vonë në mbrëmje, duke konfirmuar vdekjen.

Sipas mediave italiane, viktima është identifikuar si Arwa Rfali, e cila u zhduk rreth orës 15:00. Dyshohet se ajo po notonte me disa kushërinj, kur u rrëmbye papritur nga rrymat e liqenit.

Ngjarja ndodhi vetëm pak metra larg bregut, në një zonë që frekuentohet çdo vit nga qindra vizitorë, pavarësisht se noti aty është i ndaluar dhe sinjalizohet me tabela paralajmëruese në disa gjuhë.

Sipas raportimeve të mediave italiane, as fëmijët që ndodheshin në ujë me të dhe as të rriturit në breg nuk e kuptuan menjëherë se vajza ishte zhdukur. Në atë pjesë të liqenit, fundi ka një pjerrësi të lehtë në metrat e parë, por më pas thellohet në mënyrë të menjëhershme, një karakteristikë që është lidhur edhe me raste të tjera mbytjesh në të kaluarën.

Autoritetet italiane po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa tragjedia ka rikthyer vëmendjen mbi rrezikun e larjes në zonat ku noti është i ndaluar.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: