Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të paraqesë në mbledhjen e radhës të Konferencës së Kryetarëve kërkesën për zgjatjen me tre muaj të mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.
PD argumenton se puna e komisionit nuk ka përfunduar dhe se një sërë objektivash të përcaktuara ende nuk janë përmbushur. Në dokument thuhet se nuk kanë përfunduar konsultimet dhe aktivitetet e parashikuara në kuadër të procesit.
Partia Demokratike kërkon që mandati i komisionit të shtyhet për të vijuar punën edhe gjatë muajit gusht, duke bërë që veprimtaria e tij të mos konsiderohet e mbyllur.
Një tjetër kërkesë e opozitës është marrja paraprake e një opinioni zyrtar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës për produktin final, rekomandimet dhe sugjerimet që do të dalin nga komisioni parlamentar.
