Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërthyer me akuza dhe fyerje ndaj deputetit socialist Blendi Klosi gjatë seancës plenare në Kuvend.

Nga foltorja e Kuvendit, Berisha e akuzoi Klosin se mbron kryeministrin Edi Rama për interesa personale, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj tij, ndërsa tha se socialisti luan bixhoz.

“Mblidhini letrat e bixhozit. Përfaqësoni shembullin më të keq të abuzimit me paratë e shqiptarëve, McGonigal, skandalin dhe përpjekjen kundër opozitës, lubinë dhe 320 apartamentet e saj. Edhe ti duhet të jesh aty (Klosit). Të ka dhënë ndonjë kockë aty, se të pëlqen bixhozi. E njoh atë. Ai nuk ka kufijë. Për bixhoz shet gjithçka. Përfaqëson avokatinë më të shëmtuar ndaj qytetarëve shqiptarë pasi i përzutë jashtë. Bixhozi yt ka një aksion të vogël, ndaj del këtu dhe bën avokatinë e Edi Ramës. Një njeri që është damkosur sot botërisht. Ai është njeriu më i damkosur.” – u shpreh Berisha.

Më tej, kreu i demokratëve deklaroi se Klosi po bën “avokatinë më të shëmtuar” të qeverisë dhe të kryeministrit, duke shtuar se Edi Rama është “njeriu më i damkosur” në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, Klosi pohoi se prej vitesh Berisha bën të njëjtën gjë. “Nuk kam asgjë për të thënë, por iu drejtohem kolegëve të opozitës që e mbajnë ende lider, ka 35 vite në Kuvend ende nuk i ka ikur ndjesia e Sekretarit të partisë. Ka ardhur në sallë dhe ka bërë të njëjtën gjë 35 vite, unë i them ke vrarë njerëz në bulevard, ke qëlluar mbi protestuesit, ai tregon përralla. Për ne le të vijojë sepse votat na shtohen.”, tha Klosi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: