Erion Veliaj humbi në Gjykatën Administrative përballjen me prokurorin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Ols Dado, i cili e hetoi dhe ngriti ndaj kryebashkiakut 13 akuza penale.
Gjyqtari Hazbi Balliu vendosi të rrëzojë padinë e Veliajt kundër Ols Dados, me argumentin se ai ka interes të tërthortë dhe jo të drejtpërdrejtë në këtë çështje dhe, për rrjedhojë, nuk legjitimohet. Ndërsa për Bashkinë e Tiranës, sipas gjykatës, nuk ekziston asnjë interes për këtë proces.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, kërkonte shfuqizimin e dekretit të presidentit dhe shkarkimin e Dados, me pretendimin se ai ishte emëruar prokuror në kundërshtim me ligjin, pasi nuk plotësonte kriteret.
Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, deklaroi se, nisur nga mënyra se si u zhvillua procesi, vendimi ishte i pritshëm. Ai tha se vendimi do të apelohet, ndërsa përsëriti edhe njëherë pretendimin se Ols Dado është emëruar prokuror në kundërshtim me ligjin.
Gjykata rrëzoi gjithashtu kërkesat e “Asosacionit Kombëtar të Medias dhe Drejtësisë” dhe ish-prokurorit Tom Dedaj për t’u bërë pjesë e procesit si ndërhyrës kryesorë.
Dedaj pretendoi se ishte shkarkuar padrejtësisht nga ish-kryeprokurorja Ina Rama, me qëllim që në vend të tij të emërohej Ols Dado.
Erion Veliaj ka pretenduar gjatë gjithë procesit se Ols Dado po e mban në mënyrë të paligjshme në burg, pasi sipas tij, vetë prokurori nuk e gëzon statusin e rregullt ligjor.
SPAK hetoi Erion Veliajn dhe e vendosi nën masën e arrestit më 10 shkurt 2025. Ndaj tij, bashkëshortes Ajola Xoxa dhe disa të pandehurve të tjerë janë ngritur akuza të rënda, për të cilat po zhvillohet procesi gjyqësor në Gjykatën e Posaçme.
Deri më tani, Veliaj, pavarësisht përpjekjeve ligjore, nuk ka mundur të ndryshojë masën e sigurisë
