Zjarret e mëdha që kanë përfshirë periferitë e Madridit kanë prekur edhe objektet e NASA-s, duke detyruar evakuimin e një prej qendrave më të rëndësishme të komunikimit me misionet në hapësirën e thellë.

Një zëdhënëse e agjencisë hapësinore amerikane konfirmoi për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) se flakët “kaluan nëpër” Kompleksin e Komunikimeve në Hapësirën e Thellë të Madridit (MDSCC), një stacion kyç për komunikimin me anijet kozmike që eksplorojnë hapësirën.

Sipas NASA-s, objekti u evakuua në kohë dhe nuk raportohet për persona të lënduar. Agjencia bëri të ditur se çdo dëmtim i mundshëm do të vlerësohet sapo kushtet e sigurisë ta lejojnë.

MDSCC është një nga tre qendrat kryesore që përbëjnë Rrjetin e Hapësirës së Thellë (Deep Space Network – DSN) të NASA-s. Dy qendrat e tjera ndodhen në Kaliforni (SHBA) dhe Kanberra (Australi).

Sipas NASA-s, vendosja e këtyre tre komplekseve në pika të ndryshme të globit siguron që, ndërsa Toka rrotullohet, të paktën njëra prej qendrave të jetë gjithmonë në kontakt me anijet kozmike që ndodhen në hapësirën e thellë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb