Analisti Ben Andoni ka komentuar protestat studentore kundër qeverisë Rama, në një bisedë me gazetaren e News24, Megi Latifi. Duke iu referuar protestës kombëtare të studentëve para Ministrisë së Arsimit dhe tubimit të opozitës para Kryeministrisë, Andoni tha se aktivizimi i fortë i Partisë Demokratike rrezikon t’i marrë protestës studentore karakterin e saj të pavarur.
Sipas tij, pakënaqësia e të rinjve nuk është një fenomen që po ndodh vetëm në Shqipëri, por pjesë e një vale më të gjerë europiane, ku brezi i ri po sfidon sistemet drejtuese për mungesën e shpresës dhe alternativave.
“Sot është protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit dhe protesta e opozitës para Kryeministrisë. PD kohët e fundit është aktivizuar fort dhe kjo i ka humbur protestës studentore pjesën e saj vitale. Sot është trend që po e fut Europën në atë spirale që ndodhi në ’68-ën. Brezi i ri sot nuk gjen më përgjigje nga sistemet drejtuese. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, Francë, Spanjë e Belgjikë. Rinia po sfidon pushtetet që jo vetëm i kanë prerë shpresat, por e kanë lënë pa alternativa”, u shpreh Andoni. Duke u ndalur te situata në Shqipëri, analisti tha se të rinjtë përballen me padrejtësi të shumta dhe zhgënjim, ndërsa sistemi arsimor nuk u garanton perspektivën e duhur për tregun e punës. Sipas tij, edhe kushtet dhe stili i jetesës mbeten problematike për këtë brez.
“Ne kemi një brez në Shqipëri që vuan padrejtësi të mëdha. Brezi i ri është i zhgënjyer. Jo vetëm që shkolla nuk është më e përshtatshme për vende pune, por edhe gjërat e tjera lënë për të dëshiruar, stili i jetesës”, tha ai. Andoni kritikoi gjithashtu mënyrën se si qeveria është përballur me protestuesit, duke e cilësuar të papranueshme dhunën ndaj bizneseve private. Sipas tij, kryeministri Edi Rama duhet të fokusohet te arsyet që kanë nxitur pakënaqësinë dhe jo vetëm te pasojat e protestave.
“Qeveria ka ndërmarrë masa të ashpra përballë tyre. Dhuna që është bërë ndaj bizneseve private është e papranueshme. Rama duhet të merret me shkaqet, jo pasojat”, deklaroi analisti. Sa i përket rolit të opozitës, Andoni vlerësoi se ajo po përpiqet ta kthejë protestën në interesin e saj politik, ndërsa theksoi se studentët duhet të artikulojnë qartë kërkesat dhe objektivat e tyre. “Opozita po kërkon që ta kthejë në interesin e vet. Protesta duhet të konturohet politikisht, të adresojë kërkesat e veta. Ndryshimi ndodh në Parlament, palët do të ballafaqohen në këto nivele, ndaj e ke të pamundur që ta kërkosh ndryshimin. Njerëz që duhet të përballen me Ramën, ta trembin atë, duhet të jenë në nivel akademik”, përfundoi Andoni.
