Juristja Greta Ambeli ka ngritur shqetësime për mungesën e analizave të mirëfillta mbi aksidentet rrugore dhe masat e sigurisë, duke deklaruar se institucionet nuk po trajtojnë me seriozitet humbjen e jetëve në rrugë.
E ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me Megi Latifin, Ambeli tha se pas aksidenteve të rënda shpesh ndërmerren ndryshime pa një analizë të thelluar shkencore mbi shkaqet dhe problematikat e infrastrukturës.
“A ka analizë shkencore realisht për aksidentet? Në gjykimin tim nuk ka. Ndodh ngjarja e rëndë, mblidhet qeveria dhe bën ndryshime përkatëse pa një analizë shkencore”, u shpreh ajo.
Sipas juristes, mungon një mekanizëm i qartë institucional që të analizojë shkaqet e aksidenteve, rrugët problematike dhe masat konkrete për parandalimin e tyre.
“Po flasim për mungesë të standardit shtetëror në mënyrën se si po trajtohen aksidentet. Ky është një problem që po na merr jetë njerëzish”, deklaroi Ambali.
Ajo theksoi gjithashtu se aksidentet rrugore nuk sjellin vetëm humbje jete, por mund të shkaktojnë edhe pasoja të tjera sociale, përfshirë konflikte mes familjeve të viktimave dhe autorëve të aksidenteve.
Duke folur për trajtimin ligjor të këtyre rasteve, Ambali tha se disa vepra penale që lidhen me aksidentet janë prekur edhe nga amnistitë, çka sipas saj ka shkaktuar pakënaqësi te familjarët e viktimave.
Juristja kritikoi edhe prioritetet e shpenzimeve publike, duke e lidhur çështjen e sigurisë rrugore me fondet e përdorura për aktivitete të tjera.
“Paguajmë 4.2 milionë euro për koncertin e Kanye West dhe me 4.2 milionë euro mund të kishim bërë një super projekt për sigurinë rrugore, i cili prej vitesh premtohet dhe, sipas dijenisë sime si eksperte, ende nuk ekziston”, deklaroi Greta Ambali.
Sipas saj, një strategji kombëtare për sigurinë rrugore, e bazuar në analiza profesionale dhe të dhëna konkrete, është e domosdoshme për të parandaluar tragjedi të tjera në rrugët shqiptare.
