Aktivisti Kolindo Vjerdha, i ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me Megi Latifin, ka kritikuar reagimin e Policisë së Shtetit ndaj protestave të studentëve dhe qytetarëve, duke e cilësuar atë joproporcional. Sipas tij, edhe në ditët e fundit, kur protesta nuk ka pasur karakter të dhunshëm dhe nuk është shoqëruar me veprime që të justifikonin një reagim të shtuar, policia ka vijuar shoqërimet dhe vendosjen e forcave përballë protestuesve pranë Kryeministrisë.

Vjerdha tha se një tjetër formë presioni ndaj qytetarëve është përdorimi i gjobave, të cilat sipas tij synojnë të frikësojnë pjesëmarrësit dhe t’i detyrojnë të heqin dorë nga protesta.

“Disproporcionin e reagimit policor e kemi parë gjatë gjithë këtyre ditëve aq më tepër ditët e fundit ku protesta nuk ka pasur as nuanca të dhunshme. Sërish kemi parë që forcat e policisë kanë shoqëruar individë, janë vendosur përballë protestuesve të cilët kanë qëndruar patësisht përballë kryeministrisë. Kemi parë edhe këtë tentativën e re për të për të frikësuar në një farë forme protestuesit nëpërmjet gjobave ku e vendosën edhe këtë në zbatim duke xhubitur protestuesit”, tha ai.

Vjerdha theksoi se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe se vendimet e fundit të qeverisë, të kundërshtuara edhe nga studentët në Gjykatën Kushtetuese, duhen parë në kuadër të përpjekjeve për të ushtruar presion ndaj protestuesve.

Aktivisti nënvizoi se protesta vijon prej më shumë se pesë muajsh dhe se fakti që qytetarët dhe studentët vazhdojnë të qëndrojnë në shesh tregon, sipas tij, se pakënaqësia ndaj qeverisë është reale dhe se ata janë të vendosur të kundërshtojnë modelin aktual të qeverisjes.

Vjerdha ngriti shqetësimin edhe për rastet e raportuara të presionit dhe arrestimeve ndaj pedagogëve, duke theksuar se vendosja e policisë përballë protestuesve dhe personave që mbështesin lëvizjen përbën një tjetër formë presioni ndaj tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb