Nga Dr. Redion LuliDr. Redion Luli

Më 23 gusht 2026, Kazakistani do të zgjedhë për herë të parë deputetët e Kurultait, parlamentit të ri njëdhomësh të vendit. Këto zgjedhje do të përbëjnë një tjetër etapë kyçe të transformimit të gjerë kushtetues të shtetit: nëse në referendumin e 1 5 marsit qytetarët përcaktuan arkitekturën e re institucionale, tani atyre u takon të formojnë parlamentin që duhet t’i japë kësaj arkitekture përmbajtje reale politike.

Gjatë viteve të fundit, Kazakistani ka rishikuar në mënyrë të vazhdueshme modelin e tij të qeverisjes. Transformimet politike të nisura më herët morën një shtysë të re në vitin 2026, kur qytetarët mbështetën, përmes një referendumi kombëtar, ndryshime të rëndësishme në rendin kushtetues të vendit.

Për këtë arsye, zgjedhjet e 23 gushtit nuk duhen parë si një ngjarje politike e izoluar, por si vazhdim i një procesi të vetëm reformash.

Pikërisht tani nis etapa më e rëndësishme: kalimi nga normat kushtetuese te zbatimi i tyre në praktikë.

Parlament i ri – model i ri institucional
Një nga elementet qendrore të reformës është kalimi nga një parlament dydhomësh në një sistem njëdhomësh. Në vend të Senatit dhe Mazhilisit të mëparshëm është krijuar një organ i vetëm legjislativ – Kurultai – i përbërë nga 145 deputetë, të zgjedhur për një mandat pesëvjeçar. Vetë emërtimi i parlamentit të ri mbart një domethënie të thellë historike. Për shekuj me radhë, termi “kurultai” është përdorur nga popujt e Azisë Qendrore për të përcaktuar kuvendet ku merreshin vendime të rëndësishme për jetën publike dhe shtetërore.

Përdorimi i këtij emërtimi për parlamentin modern krijon një lidhje simbolike midis traditës historike politike të Kazakistanit dhe institucioneve bashkëkohore të përfaqësimit demokratik. Megjithatë, më e rëndësishme se simbolika është përmbajtja institucionale e reformës. Kalimi në një parlament njëdhomësh përqendron përgjegjësinë legjislative në një organ të vetëm përfaqësues. Një model i tillë e bën më të qartë përgjegjësinë e deputetëve dhe partive politike për ligjet që miratohen, për cilësinë e punës parlamentare dhe për ushtrimin e kontrollit ndaj pushtetit ekzekutiv.

Kurultai i ri merr gjithashtu një rol të rëndësishëm në sistemin e përgjithshëm të institucioneve shtetërore, si dhe në një sërë vendimmarrjesh kyçe që lidhen me emërimet në nivelet e larta të administratës shtetërore. Për këtë arsye, më 23 gusht qytetarët e Kazakistanit nuk do të zgjedhin thjesht një përbërje të re parlamentare. Për herë të parë, ata do të formojnë një organ legjislativ që do të funksionojë në një mjedis kushtetues thelbësisht të ri.

Nga referendumi te zbatimi i reformës
Nga pikëpamja juridike, ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis referendumit të 15 marsit dhe zgjedhjeve të 23 gushtit. Në referendum, qytetarët shprehën qëndrimin e tyre ndaj modelit të ri kushtetues. Zgjedhjet duhet të vënë në zbatim praktik këtë model. Pikërisht ky kalim përbën fazën më të vështirë të çdo reforme të madhe shtetërore. Kushtetuta mund të përcaktojë strukturën e institucioneve, ndarjen e kompetencave dhe mekanizmat juridikë të bashkëveprimit ndërmjet organeve të pushtetit. Por efikasiteti real i një sistemi politik varet nga mënyra se si këto norma zbatohen në praktikë.

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, përgjatë viteve të fundit e lidh modernizimin politik të vendit me formulën: “President i fortë – Parlament me ndikim – Qeveri e përgjegjshme”. Në kuadër të kësaj qasjeje, krijimi i Kurultait duhet parë si një përpjekje për të ndërtuar një sistem më të qartë të përgjegjësisë institucionale dhe për të forcuar rolin e pushtetit përfaqësues.

Megjithatë, vlerësimi real i reformës nuk do të varet vetëm nga kompetencat formale që i janë dhënë parlamentit të ri. Pyetja kryesore do të jetë se sa efektivisht do të jetë në gjendje Kurultai t’i ushtrojë këto kompetenca. Rritja e përgjegjësisë së parlamentit dhe partive politike Sistemi parlamentar njëdhomësh ka një veçori të rëndësishme: përgjegjësia politike e pushtetit legjislativ bëhet më e përqendruar dhe më e identifikueshme.

Kur vendimet merren nga një parlament njëdhomësh, shoqëria e ka më të lehtë të vlerësojë veprimtarinë e deputetëve dhe të partive politike, të kuptojë se kush mban përgjegjësi për ligjet e miratuara dhe sa efektiv është kontrolli parlamentar.

Në këtë kuptim, rëndësia e zgjedhjeve të ardhshme lidhet edhe me formimin e një kulture të re të përgjegjësisë politike.

Një parlament i fortë nuk përcaktohet vetëm nga kompetencat e shkruara në Kushtetutë. Ndikimi i tij real varet nga profesionalizmi i deputetëve, cilësia e procesit legjislativ, aftësia për të përfaqësuar interesa të ndryshme shoqërore dhe për të ushtruar kontroll efektiv ndaj pushtetit ekzekutiv.

Pikërisht këta faktorë do të tregojnë gjatë viteve të ardhshme se sa të thella do të jenë ndryshimet në sistemin politik të Kazakistanit. Në këtë kuptim, zgjedhjet e 23 gushtit janë një pikënisje dhe jo përfundimi i reformës.

Rëndësia ndërkombëtare e zgjedhjeve
Transformimet politike në Kazakistan paraqesin interes përtej kufijve të Azisë Qendrore. Kazakistani është ekonomia më e madhe e rajonit, një partner i rëndësishëm ndërkombëtar dhe një shtet me pozicion strategjik midis Evropës dhe Azisë. Vendi zotëron burime të konsiderueshme energjetike dhe lëndë të para dhe luan një rol kyç në zhvillimin e korridoreve të transportit që lidhin Kinën, Azinë Qendrore, rajonin e Kaspikut dhe Evropën. Një rëndësi gjithnjë e më të madhe po merr Korridori Ndërkombëtar i Transportit Transkaspik, i njohur gjithashtu si Korridori i Mesëm.

Në kushtet e ndryshimit të zinxhirëve globalë të tregtisë, Kazakistani po bëhet një nga hallkat kryesore të lidhjes tokësore midis Azisë dhe tregjeve evropiane. Për këtë arsye, stabiliteti politik, parashikueshmëria e institucioneve shtetërore dhe efikasiteti i sistemit të qeverisjes së Kazakistanit kanë rëndësi të drejtpërdrejtë edhe për partnerët e tij evropianë. Në këtë kontekst, interesi i komunitetit ndërkombëtar ndaj këtyre zgjedhjeve është i natyrshëm.

Procesi zgjedhor do të ndiqet nga përfaqësues të shteteve të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare. Edhe Shqipëria do të jetë e përfaqësuar në vëzhgimin ndërkombëtar: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Shqipërisë do të dërgojë përfaqësuesit e tij, për të marrë pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve në Kazakistan. Vëzhgimi ndërkombëtar merr një rëndësi të veçantë në kushtet e zgjedhjeve të para sipas modelit të ri kushtetues. Ai mundëson vlerësimin jo vetëm të organizimit të procesit të votimit, por edhe të kontekstit më të gjerë politik, në të cilin institucionet e reja fillojnë funksionimin e tyre.

Pse këto zhvillime kanë rëndësi edhe për Shqipërinë?
Pavarësisht distancës gjeografike, marrëdhëniet mes Evropës dhe Azisë Qendrore po marrin sot një përmbajtje të re. Bashkimi Evropian po zgjeron bashkëpunimin me rajonin në fushat e tregtisë, energjisë, transportit, lëndëve të para kritike dhe investimeve.

Kazakistani zë një vend qendror në këto procese.
Edhe për Shqipërinë, zhvillimet në Kazakistan paraqesin interes.
Shqipëria dhe Kazakistani ndryshojnë ndjeshëm për nga përmasat gjeografike, historia dhe sistemi politik. Megjithatë, të dy vendet kanë kaluar procese të thella transformimi institucional dhe vijojnë të përshtatin institucionet e tyre shtetërore ndaj ndryshimit të kushteve të brendshme dhe ndërkombëtare.

Pikërisht për këtë arsye, përvoja e Kazakistanit nuk duhet parë si një model universal që mund të kopjohet automatikisht nga vende të tjera, por si një shembull i veçantë i transformimit kushtetues.
Veçanërisht interesant është raporti midis ndryshimit të arkitekturës juridike të shtetit dhe aftësisë së këtij ndryshimi për të prodhuar transformime reale në praktikën politike.
Për një jurist, pikërisht ky është një nga kriteret kryesore për të vlerësuar çdo reformë kushtetuese.

Prova e vërtetë do të nisë pas 23 gushtit
Rezultatet e zgjedhjeve do të përcaktojnë përbërjen e legjislaturës së parë të Kurultait dhe konfigurimin politik të pushtetit legjislativ për pesë vitet e ardhshme. Kriteret reale të vlerësimit do të jenë veprimtaria e mëtejshme e parlamentit, cilësia e ligjeve të miratuara, efikasiteti i kontrollit parlamentar, bashkëveprimi midis degëve të pushtetit dhe aftësia e institucioneve të reja për t’iu përgjigjur nevojave dhe pritshmërive të shoqërisë. Po aq e rëndësishme do të jetë edhe çështja e besimit të qytetarëve.

Një reformë kushtetuese bëhet e qëndrueshme kur shoqëria sheh jo vetëm ndryshime në emërtimet apo strukturën e institucioneve shtetërore, por edhe rezultate konkrete: institucione më efikase, përgjegjësi më të qartë të pushtetit dhe mekanizma realë për përfaqësimin e interesave të qytetarëve.

Pikërisht për këtë arsye, 23 gushti ka një rëndësi të veçantë për Kazakistanin e sotëm. Referendumi i 15 marsit 2026 përcaktoi bazën ligjore të arkitekturës së re politike. Zgjedhjet për Kurultain duhet ta kalojnë këtë arkitekturë nga një projekt kushtetues në një sistem funksional të qeverisjes shtetërore. Këtu qëndron edhe rëndësia historike e procesit të ardhshëm të votimit. Kazakistani po hyn në një periudhë, kur suksesi i reformës nuk do të matet më vetëm me përmasën e ndryshimeve të miratuara, por mbi të gjitha me cilësinë e zbatimit të tyre. Zgjedhjet e para për Kurultain do të shënojnë fillimin e kësaj prove.

*Ekspert i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Evropiane dhe Pedagog

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb