Ambientalisti Sazan Guri deklaroi se protesta qytetare përpara Kryeministrisë do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të protestuesve.

Guri tha se përveç kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit do të qëndrojnë në shesh deri në rikthimin, sipas tij, të pasurive publike të tjetërsuara.
“Nuk do t’i ndalemi kësaj kauze. Kjo nuk është thjesht një protestë e qytetarëve, e një populli hyjnor, por është një proces historik dhe do të rrimë këtu derisa ata të kthejnë pasurinë publike”, u shpreh ai.

Ambientalisti kritikoi edhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duke pretenduar se ato kanë krijuar mundësi për tjetërsimin e tokës shqiptare.
“Me Kushtetutën dhe ndryshimet e vitit 2008, këta kanë vendosur që kufijtë shtetërorë mund të tjetërsohen”, deklaroi Guri.
Më tej, ai përsëriti kërkesën për krijimin e një qeverie teknike apolitike dhe prezantoi disa pika që, sipas tij, duhet të jenë baza e një shteti të ri.
“Ne do të vendosim 12 shtylla të një shteti. Toka e shqiptarëve nuk shitet. Zona e mbrojtur nuk jepet. Zona publike nuk preket. Toka bujqësore nuk ka për t’u dhënë kurrë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb