Një grua ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga zjarri masiv që përfshiu Andaluzinë më 9 korrik, duke e çuar në 14 numrin e viktimave të kësaj tragjedie.

Gruaja, identiteti dhe kombësia e së cilës nuk janë bërë publike, ndërroi jetë në një spital në Sevilje, ku ndodhej në kujdes intensiv për shkak të djegieve të rënda në rreth 70% të trupit.

Zjarri, i cili shpërtheu në zonën e Almerias, në jug të Spanjës, konsiderohet si më vdekjeprurësi në vend në dy dekadat e fundit.


Sipas autoriteteve, flakët nisën nga një kabllo elektrike përgjatë një autostrade në zonën e Los Gallardos dhe u përhapën me shpejtësi të madhe, duke avancuar rreth 100 metra në minutë. Përhapja e menjëhershme e zjarrit la disa persona të bllokuar brenda automjeteve të tyre.

Shumica e viktimave ishin shtetas të huaj, kryesisht nga Britania e Madhe dhe Belgjika.

Ndërkohë, Spanja vijon të përballet me zjarre të mëdha pyjore, të cilat kanë shkatërruar qindra mijëra hektarë tokë. Autoritetet po përgatiten edhe për një valë të re të nxehti që pritet të nisë të mërkurën dhe të zgjasë deri të dielën, me agjencinë meteorologjike spanjolle Aemet që ka paralajmëruar rrezik “ekstrem” për zjarre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: