Një 28-vjeçare ka humbur jetën nga murtaja pneumonike në Irkutsk të Rusisë, ndërsa deri në 200 persona që mund të kenë pasur kontakt me të janë vendosur në karantinë, sipas raportimeve të mediave ruse.
Viktima është identifikuar si Daria Sipilova, një teknike laboratori që punonte në Institutin e Kërkimeve të Murtajës në Irkutsk. Sipas raportimeve, ajo dyshohet se është infektuar pasi një epruvetë u thye gjatë punës në laborator.
Lajmi për vdekjen e 28-vjeçares u bë publik të premten nga Alexei Chidenov, guvernatori i Buryatia-s, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale deklaroi se një grua në rajonin fqinj të Irkutskut kishte humbur jetën nga murtaja.
Deri më tani, Ministria e Shëndetësisë e Rusisë nuk ka bërë një njoftim zyrtar lidhur me rastin.
Autoritetet kanë marrë masa parandaluese ndaj personave që mund të kenë qenë në kontakt me viktimën, ndërsa rreth 200 persona raportohet se janë vendosur në karantinë.
Murtaja është një sëmundje infektive e shkaktuar nga bakteri Yersinia pestis. Forma pneumonike prek mushkëritë dhe mund të transmetohet përmes pikave respiratore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ajo mund të jetë fatale nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet menjëherë.
