Anëtari i Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë kohës së protestave në Tiranë, duke e akuzuar atë për vendime që, sipas tij, kanë nxitur pakënaqësinë e qytetarëve.
Në një reagim të publikuar prej tij, Muçollari deklaron se disa prej akteve që ai i cilëson “arbitrare dhe korruptive” janë ndërmarrë pikërisht gjatë kohës kur protesta në Bulevard dhe në sheshet e Tiranës ishte në kulmin e saj.
Ai përmendi edhe debatin rreth librit “Albanian Files”, ku pretendohet se trajtohen plane për ndërtime në zona të mbrojtura dhe zona turistike, duke akuzuar kryeministrin se nuk u distancua nga këto zhvillime.
Sipas Muçollarit, protesta kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura dhe korrupsionit u intensifikua edhe pas vendimeve të qeverisë për investimet strategjike dhe ndryshimet ligjore që, sipas tij, favorizojnë zhvillimet private në zona me rëndësi natyrore.
REAGIMI
Nuk jam Edi Rama!
Disa prej akteve tipike arbitrare dhe korruptive Edi Rama i ndërmori pikërisht teksa zhvillohej apo ishte në kulm protesta në Bulevard dhe në rrugët e sheshet e Tiranës, ndërsa tani u kërkon atyre që janë ngritur në këmbë t’i japin besën edhe një herë. T’i japin edhe një shans tjetër.
Revolta ishte aty kur Edi Rama tha se jo vetëm nuk tërhiqej nga Zvërneci, por një projekt edhe më të madh së shpejti do ta realizonte diku mes Kavajës e Durrësit. Se për çfarë bëhet fjalë, askush nuk e di.
Ishte protesta aty kur u bë publik libri “Albanian Files”, ku flitet për herë të parë për 523 plane për kulla e resorte në zona të mbrojtura apo vendet më të bukura të bregdetit e liqeneve. Asnjë njeri nuk kishte dijeni. Edi Rama jo vetëm nuk u distancua, por e mbrojti deri në fund “Albanian Files”.
Në kulmin e marshimit kundër trajtimit të Shqipërisë si plaçkë, Edi Rama refuzoi të anulonte ligjin për investitorët strategjikë apo ndryshimet që i hapën rrugë ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Edhe pse kjo u kërkua edhe nga Parlamenti Europian. Edhe pse kërkohet çdo natë poshtë zyrës së tij.
Ishte në majën e saj protesta kundër korrupsionit dhe arrogancës, kur Edi Rama vendosi të japë 4.2 mln euro për një koncert privat, sikur buxheti i shtetit të ishte fondi i tij privat.
Pa përmendur këtu faktin historik se sa më shumë kohë i është dhënë Edi Ramës, aq më shumë janë shtuar aferat.
Dhe sot ky u kërkon protestuesve besë. U kërkon të heqin dorë nga lëvizja e tyre, sepse ai nuk qenka Edi Rama.
