Albana Vokshi, ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, sipas të cilit Shqipëria dhe Serbia kanë rënë dakord në parim për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc.
Përmes një reagimi publik, Vokshi deklaroi se, nëse ky informacion rezulton i vërtetë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duhet të japë dorëheqjen.
Sipas saj, hapja e një konsullate serbe në Shkodër nuk është një çështje teknike, por një vendim me pasoja politike, diplomatike dhe strategjike për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.
Vokshi argumenton se nuk ekzistojnë kushtet që justifikojnë një përfaqësi konsullore serbe në Shkodër, duke iu referuar të dhënave të Censit 2023, sipas të cilave në qarkun e Shkodrës janë vetëdeklaruar vetëm 54 shtetas me etni serbe. Në të kundërt, ajo thekson se në Luginën e Preshevës jetojnë dhjetëra mijëra shqiptarë, të cilët, sipas saj, përballen prej vitesh me diskriminim dhe mohim të të drejtave.
Deputetja demokrate shprehet gjithashtu kritike për faktin që, sipas saj, ministri Ferit Hoxha nuk reagoi ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve serbë për Kosovën dhe se informacioni për marrëveshjen e pretenduar u bë publik fillimisht nga pala serbe.
Në reagimin e saj, Vokshi i drejton disa pyetje ministrit të Jashtëm, duke kërkuar të dijë nëse është arritur një dakordësi për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, kush e ka autorizuar një vendim të tillë, nëse janë konsultuar institucionet shqiptare dhe autoritetet e Kosovës, si dhe cili është interesi konkret i Shqipërisë.
Ajo thekson se politika e jashtme duhet të zhvillohet me transparencë dhe në koordinim të ngushtë me Kosovën, duke shtuar se çdo vendim në raport me Serbinë duhet të peshohet me përgjegjësi maksimale.
Reagimi;
Nëse lajmi i bërë publik nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, është i vërtetë dhe Shqipëria ka rënë dakord për hapjen e një Konsullate të Serbisë në Shkodër, atëherë Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha nuk duhet të qëndrojë më asnjë ditë në zyrë!
Kjo nuk është një çështje thjesht teknike apo procedurale. Është një vendim me pasoja politike, diplomatike dhe strategjike për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.
Hapja e një konsullate justifikohet kur ekziston një komunitet i konsiderueshëm qytetarësh që kanë nevojë për shërbime konsullore, nivel marrëdhëniesh që kërkon prani shtesë diplomatike.
Asnjë nga këto kushte nuk ekziston në Shkodër.
Censi 2023, në qarkun Shkodër e vërteton këtë (vetëm 54 shtetas të vetëdeklaruar serbë). Ndërkohë që në Luginën e Preshevës jetojnë dhjetëra mijëra shqiptarë, të cilët prej vitesh përballen me diskriminim institucional, pasivizim adresash, mohim të të drejtave dhe politika sistematike të spastrimit administrativ.
Nuk mund të ketë shenje barazimi mes këtyre dy realiteteve është jo vetëm e pajustifikuar, por edhe politikisht e rrezikshme.
Edhe më shqetësues është momenti kur pretendohet se është arritur kjo dakordësi.
Vetëm pak ditë më parë, ministra të qeverisë serbe rikthyen retorikën e papranueshme për “spastrimin etnik” në Kosovë. As gjatë takimit me homologun serb dhe as pas tij, ministri Ferit Hoxha nuk bëri asnjë deklaratë publike për të dënuar këto qëndrime, për të mbrojtur të vërtetën historike apo për të kërkuar distancimin e Beogradit nga kjo gjuhë.
Ndërkohë, tani mësojmë nga Beogradi, se në të njëjtin takim qenka diskutuar dhe dakordësuar, në parim, hapja e konsullatave.
Ministri Hoxha duhet tu përgjigjet këtyre pyetjeve:
* A është arritur një dakordësi e tillë?
* Kush e ka autorizuar këtë vendim?
* A është konsultuar Presidenti i Republikës, Parlamenti dhe, mbi të gjitha, qeveria e Kosovës?
* Cili është interesi konkret i Shqipërisë?
* Çfarë përfiton vendi ynë nga një konsullatë serbe në Shkodër?
Politika e jashtme nuk mund të zhvillohet e të kalojë më patë nga mediat serbe.
Në një kohë kur Serbia vazhdon të mohojë krimet e regjimit të Millosheviçit, nuk ka kërkuar falje e nuk është diatancuar nga gjenocidi në Kosovë, mban retorikë agresive ndaj shqiptarëve dhe vazhdon të diskriminojë shqiptarët në Luginën e Preshevës, çdo hap diplomatik duhet të peshohet me përgjegjësi maksimale dhe në koordinim të plotë me Kosovën.
Shqipëria nuk mund të japë sinjale të gabuara politike dhe as të ndërmarrë vendime që relativizojnë pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës apo dobësojnë qëndrimin tonë kombëtar.
Ministri Ferit Hoxha duhet të dalë urgjentisht para opinionit publik dhe të sqarojë, në mënyrë të plotë dhe transparente, çfarë është diskutuar, çfarë është dakordësuar dhe mbi çfarë baze është marrë një vendim kaq i rëndësishëm.
